Pas më shumë se dy muaj nga të shtënat me armë ne Vlashnje të Prizrenit, ku u gjuajt me kallashnikov gjatë një ahengu familjar, Policia ka arritur të arrestojë njërin nga tre mërgimtarët e dyshuar.
Burimet nga Prokuroria bëjnë me dije se bëhet fjalë për Islam Hoxhajn, i cili bashkë me Ardijan dhe Egzon Hoxhajn, dyshohen për të shtënat e datës 24 korrik.
Këta dy të fundit ndodhen akoma në Belgjikë, ku janë kthyer, pas pushimeve në Kosovë.
I dyshuari i cili është kapur sot, Islami ka dorëzuar armët dhe është intervistuar nga hetusit policorë.
Kujtojmë se në shtëpinë e tyre në Vlashnje të Prizrenit edhe para një muaji me urdhër të Prokurorit dhe aprovim të gjyqtarit janë kryer kontrolle, me ç’rast u gjetën mbi 5 gëzhoja dhe arma automatike, AK-47, e përdorur nga të dyshuarit.
Ndryshe, rasti është zbuluar pas publikimit të disa pamjeve në rrjetin social Tik Tok nga ahengu ku u gjuajt me armë.
Kujtojmë se të shtënat me armë në ahengjet në Kosovë janë dukuri e shpeshtë, të cilat përveç se janë të kundërligjshme, shumë herë kanë qenë edhe të rrezikshme.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.