image Mentor Shuki pranon fajin për posedim të paautorizuar të narkotikëve

Kosovë

Drejtësi/ Mentor Shuki pranon fajin për posedim të paautorizuar të narkotikëve

news image

Moderatori Mentor Shuki e ka pranuar fajësinë për posedim të paautorizuar të narkotikëve, në seancën fillestare të mbajtur të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Bashkë me të për veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, po akuzohet edhe Nebojsha Deniç, i cili kishte arritur marrëveshje me prokurorinë për pranim të fajësisë.

Prokurori Armend Hamiti ashtu sikurse avokatët e të akuzuarve kanë kërkuar nga gjykata që të aprovohet marrëveshja për pranimin e fajësisë.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Naser Foniqi ka aprovuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë ndërsa ka njoftuar se për të akuzuarin Nebojsha Deniç me propozim të avokatit të tij, do të ndërpritet paraburgimi.

Shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 10 shtator 2019.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 27 gusht 2019, thuhet se policia gjatë kontrollimit të të akuzuarit Mentor Shuki, më 21 mars 2019, kishin gjetur se pa autorizim kishte poseduar një qese të vogël, e mbushur me substancë narkotike e dyshuar si amfetamine, në peshë 4 gramë, dy boca të xhamit të mbushura me tretësirë të lëndët e dyshuar si substancë narkotike GHB, ku njëra prej tyre kishte pasur peshën 84 gramë.

Ndërkaq, i akuzuari Nebojsha Deniç, akuzohet se kishte shitur substancë narkotike dhe gjatë kontrollimit të policisë ishin gjetur dhe konfiskuar 149 gramë substancë narkotike, e llojit amfetamine, 204 gramë marihuanë, 17 gramë fara kanabisi dhe një peshore digjitale.

Prokuroria të akuzuarin Shuki e ngarkon me veprën penale “posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, ndërsa të akuzuarin Deniç me veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.