Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka pritur në takim ministren e Mbrojtjes të Gjermanisë, Christine Lambrecht.
Në njoftimin e lëshuar nga ministria thuhet se fillimisht u bisedua lidhur me situatën e sigurisë në Kosovës si dhe zhvillimet aktuale të sigurisë në regjion dhe më gjerë, të reflektuara nga agresioni ushtarak i Rusisë mbi Ukrainën.
Mehaj e falënderoi Lambrecht për kontributin e dhënë për ofrimin e sigurisë nga trupat gjermane, që janë pjesë e KFOR-it.
Ai theksoi se që të dy vendet gjithashtu ndajnë vlerat e përbashkëta në qeverisjen demokratike dhe kërkoi përkrahjen e shtetit gjerman për anëtarësimin sa më të shpejtë të Republikës së Kosovës në NATO.
Lambrecht theksoi se sikurse deri më tani, shteti gjerman do të vazhdojë të ofrojë përkrahje për Republikën e Kosovës. Ajo theksoi se Kosova dhe Gjermania janë partnerë të besueshëm dhe të sinqertë më njëri tjetrin.
Në këtë takim u përmend mundësia e ripërtëritjes së Marrëveshjes së Mirëkuptimit në mes të dy vendeve si dhe nënshkrimin e Marrëveshjes SOFA.
Më tej, në këtë takim u bisedua për raportet e mira në mes të Kosovës dhe Gjermanisë, ku një kontribut të madh në përafrimin e dy vendeve ka dhënë diaspora kosovare në Gjermani, e integruar mirë, ku numri i tyre është rreth 400 mijë.