Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj thotë se Serbia si një vend prorus operon me idenë se “sa më shumë territor aq më shumë e mbrojtur do të jetë”, andaj ndodhur përball kësaj ideologjie të një vendi fqinj, ai thekson se integrimi i Kosovës është i domosdoshëm.
Mehaj thotë se aktualisht Kosova është e interesuar që në një afat rekord të anëtarësohet në Partneritetin për Paqe, për çka kërkon mbështetjen edhe të vendeve mosnjohëse.
Ministri Mehaj konsideron se është e rëndësishme që anëtarësimi i Kosovës në organizatat botërore të sigurisë të ndodh sa më shpejt, marrë parasysh edhe situatën e brishtë të sigurisë në botë si pasojë e luftës pushtuese të Rusisë në Ukrainë dhe politikën proruse të Serbisë.
Sipas tij, krahas grupit ndërministror për Partneritet për Paqe që tashmë është themeluar, është e rëndësishme që Bashkimi Evropian dhe NATO të shohin ndryshimet pozitive në Kosovë. Derisa thekson se po i rrisin bashkëpunimet bilaterale me shumë partnerë të tjerë të NATO-s.
“Kosova është e fokusuar në integrimin në NATO sa më shpejt, situata ka ndryshuar gjeopolitikisht, jo vetëm në rajon por në mbarë botën, është shumë me rëndësi që edhe këto katër shtete mosnjohëse të NATO-s ta mbështesin Kosovën në Partneritet për Paqe, pastaj në anëtarësimin e plotë në NATO”, thotë ai.
Derisa thotë se situata e sigurisë në vend është e qetë, ministri Mehaj thotë se janë në bashkëpunim me të gjitha institucionet e sigurisë në vend dhe se Kosova ndan vlerat e veta demokratike me të gjitha vendet perëndimore.
Sipas ministrit Mehaj, Kosova duhet që sa më parë të integrohet edhe në Bashkimin Evropian pasi që kanoset nga poltika serbe se “më shumë territor më lehtë me e mbrojt veten”.
“Në përgjithësi situata në Kosovë është e qetë, jemi në bashkëpunim me të gjitha agjencitë e sigurisë së Kosovës por edhe me KFOR-in… Kosova jo vetëm që i ndan vlerat e veta demokratike sikur aleatët tanë, partnerët në NATO, por anën tjetër shihet Serbia, fqinjët tanë, si nuk i përcjellin normat ndërkombëtare por është e bashkangjitur bashkë me Rusinë. Nuk i ndanë të njëjtat vlera demokratike sikur shtetet e Evropës dhe NATO-s… Si partnerët tanë, edhe shtetet të cilat na kanë mbështetur të jetë Kosova në këtë ditë sot, t’i ngrit Kosova kapacitetet e sigurisë, me të vërtetë të integrohet në Bashkimin Evropian por edhe në NATO sa më shpejt që është e mundshme, jo vetëm si Serbia që ka tensione në stabilizim, sepse ata operojnë sikur rusët, më shumë territor, aq me lehtë më mbrojt vetën, ashtu mendojnë madhësinë e vet”, thotë Mehaj.
Ministri Mehaj potencon interesat qëllimkëqija të Serbisë në Kosovë.
“Serbia kurrë si ka qëllimet e mira për Kosovën në asnjë aspekt, ne shpresojmë se një ditë ata kthehen për të mbarë e të mirë, por pjesa e dialogut e bënë të vetën”, thotë ai.
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj apelon të rinjtë që të aplikojnënë rekrutimin e radhës në FSK, derisa bën të ditur se ka ndryshuar kriteri për moshën, nga 23 vjeç sa ishte në 25 vjet, raporton KP.