Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka reaguar pas aksidentit tragjik që ndodhi mëngjesin e sotëm rreth orës 06:00, në Slavonski Brod, në Kroaci, si pasojë e të cilit humbën jetën 10 kosovarë dhe u lënduan dhjetëra të tjerë, raporton Gazeta Sinjali.
Si një qytetar që ka jetuar jashtë vendit, Mehaj ka thënë se e bashkëndjen dhimbjen e familjarëve në Kosovë, të cilët kanë qenë në pritje të mërgimtarëve që po vinin nga Gjermania me autobusin që u aksidentua.
“Me dhembje të madhe, si njëri nga ata bashkatdhetarë nga diaspora, që kam udhëtuar shumë vite, me mijëra kilometra për të ardhur në Kosovë, bashkëndjej thellë me familjarët që pritnin më të dashurit të arrijnë sa më parë në përqafimin e tyre”, shkroi ai në Facebook.
Numri një i Mbrojtjes bëri të ditur se ka biseduar me ministrin e Punëve të Brendshme në Kroaci, Davor Bozhinoviq, nga i cili thotë se është siguruar se janë marrë të gjitha masat e duhura për të menaxhuar këtë fatkeqësi me kujdesin maksimal spitalor për të lënduarit dhe atë akomodues për të tjerët.
“Me zemër të thyer u shpreh ngushëllimet e thella familjarëve që humbën më të dashurit tanë, e të lënduarve shërim sa më të shpejtë. Ne jemi dhe do të jemi pranë jush në çdo moment dhe çdo rrethanë”, shkroi ai./Gazeta Sinjali/