Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj së bashku me gjeneralë majorët, Irfete Spahiu, Gëzim Hazrolli, si dhe këshilltares politike, Liridona Gashi, kanë vizituar Qendrën Ndërkombëtare për parandalimin dhe luftimin e luftës hibride në Finlandë.
Ministri Mehaj ka shkruar në profilin e tij se lufta hibride është kërcënimi serioz që duhet mposhtur.
Ai ka treguar se gjatë vizitës zyrtare në Finlandë, vizitoi Qendrën Ndërkombëtare për parandalimin dhe luftimin e luftës hibride, Hybrid CoE, pjesë e së cilës janë 32 shtete anëtare të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s.
“Me anëtarët e sekretariatit të kësaj qendre dhe drejtuesin e saj, Rasmus Hindren, diskutuam rreth luftës hibride që po aplikon aktualisht Rusia në shumë drejtime, e nëpërmjet të Serbisë edhe në rajonin e Ballkanit”, tha Mehaj.
Ministri më tej theksoi se janë dakorduar që të fillojnë bashkëpunimi në shkëmbimin e informatave dhe analizimin e kërcënimeve hibride, gjetjen e strategjisë për mbrojtje dhe parandalimin e aktiviteteve të tilla të cilat cenojnë vlerat demokratike të shteteve.