Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj së bashku me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë Arben Kingji, kanë vizituar kompleksin Memorial në Prekaz, në nderime te varri i Komandantit Legjendar, Adem Jashari dhe Jasharajve Heroik.
Këtë e bëri të ditur Mehaj përmes një postimi në Facebook, ku gjeneralin e FARSH-it, Arben Kingjin e quajti vëlla.
Siç u shpreh Mehaj, dhimbja, krenaria dhe lavdia e Jasharajve është vlera unike e përbashkët kombëtare.
“Ishte emocion i veçantë kur së bashku me vëllain, Gjeneral Kingjin nderuam sakrificën historike të kombit tonë liridashës, pikërisht në sheshin e lavdisë madhështore të Jasharajve legjendar. Dhimbja, krenaria dhe lavdia e Jasharajve është vlera jonë unike e përbashkët kombëtare. Të lavdishëm gjithmonë Komandanti Legjendar Adem Jashari, Jasharajt Heroik dhe gjithë të rënët për Lirinë e Kombit dhe Atdheut”, ka shkruar ministri Mehaj.