image Mediumi zviceran shkruan për letrën e vëllait të Dardan Krivaqës

Kosovë

Mediumi zviceran shkruan për letrën e vëllait të Dardan Krivaqës

news image

Mediumi zviceran “20 minuten” i kushtoi një tjetër artikull të veçantë rastit të vrasjes së 18-vjeçares në Ferizaj.

Dardan Krivaqa (29 vjeç) u arrestua në Kosovë, pasi dyshohet se vrau gruan e tij 18-vjeçare. Vëllai i tij i madh jeton në Zvicrën perëndimore dhe ka komentuar në rrjete sociale lidhur me rastin, shkruan 20 minuten.

Pas dy ditësh në arrati, 29-vjeçari Dardan Krivaqa u arrestua në Kosovë dje (e martë). Dyshohet se ai ka vrarë 18-vjeçaren M.O, në qytetin e Ferizajt.

Vëllai i madh i tij, K.K, jeton në Zvicër në pjesën që flet frëngjisht.

Pas arrestimit të Dardanit, ai u shpreh në një postim të gjatë në rrjete sociale, duke thënë se e gjithë familja mbeti pa fjalë për veprën që dyshohet se ka kryer vëllai i tij.

“Ai nuk dëgjoi askënd”, thotë K.K.

K.K. vazhdon të shkruajë se ai gjithmonë përpiqej t’i jepte këshilla dhe ndihmë vëllait të tij të vogël: “Por ai nuk dëgjoi askënd”. Gjatë gjithë jetës së tij, Dardani krijoi probleme dhe njollosi mbiemrin.

K.K e përgëzon policinë kosovare dhe gjithë qytetarët që kanë kontribuar në arrestimin e vëllait të tij të vogël.

“Shpresoj që ai të marrë dënimin e merituar”, shkruan ndër të tjera K.K.

Ai gjithashtu shpreson se të gjithë do të ndihmonin për të parandaluar akte të tilla në të ardhmen “dhe për të luftuar për mirëqenien e fëmijëve tanë”.

Më në fund, K.K. shpreh ngushëllime për familjen e viktimës: “Zoti ju dhëntë forcë dhe guxim”. /Gazeta Sinjali/