image Mediat malazeze: Abazoviq e drejtoi aksionin e transportimit të mitropolitit serb me helikopter

Rajon

Mediat malazeze: Abazoviq e drejtoi aksionin e transportimit të mitropolitit serb me helikopter

news image

Teksa në rrugët e qytetit njerëzit protestonin, mitropoliti serb, Joanikije, u shugurua dje në manastirin e Cetinjes pasi u transportua nga Podgorica me helikopter ushtarak bashkë me patriarkun Porfirije.

Rrugët e bllokuara nga barrikadat e vendosura ia pamundësuan këtyre të dyve që të arrinin në këmbë në vendin ku do të të bëhej shugurimi.

Paradite, helikopteri u ul në livadhin përballë manastirit, ku Joanikije u shugurua në fronin e Shën Pjetrit malazez.

Sipas mediave malazeze, Qeveria ka thënë jozyrtarisht se është përdorur helikopteri ushtarak sepse është më modern, më i shpejtë dhe më i sigurt sesa helikopterët tjerë që ishin në dispozicion të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

B92 shkruan se sipas mediave në Mal të Zi, koordinatori i shërbimeve të sigurisë, zëvendëskryeministri Dritan Abazoviq, këshilltarët e tij, ministri i Brendshëm, Sergej Sekuloviq dhe drejtori i Administratës së Policisë, Zoran Brgjanin e drejtuan transportin e tyre me helikopter.

Siç vërehet në një video të “Vecernji novostit” serb, priftërinjtë në manastirin e Certinjes kënduan këngën “Ječam žela”, teksti i së cilës përmban pjesë ku thuhet “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”.

Ceremonia u parapri nga incidentet në të cilat, sipas të dhënave zyrtare, shtatë policë u plagosën dhe dhjetëra protestues kërkuan ndihmë mjekësore. Po ashtu, 14 persona u arrestuan, në mesin e të ciëve edhe këshilltari i sigurisë i presidentit të Malit të Zi Milo Gjukanoviq, Veselin Veljoviq.

Shqiptari Dritan Abazoviq, zëvendëskryeministër i Malit të Zi, e ka përkrahur shefin e tij proserb në qasjen ndaj protestave të qytetarëve malazezë kundër shugurimit të kreut të Kishës Ortodokse Serbe në Cetinje.

Kryeministri malazez, Zdravko Krivokapiq tha se sulmi ndaj policisë ishte sulm ndaj shtetit.

Në një reagim të jashtëzakonshëm pas situatës kaotike në Cetinje dhe shugurimit të mitropolitit të ri të Kishës Ortodokse Serbe, Joanikije II, presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq tha se “vetëm një njeri pa dinjitet do ta lejonte veten të futej në manastirin e Cetinjes me helikopter”.

“Sot në Cetinje, ne ishim dëshmitarë të turpit të madh të Kishës Ortodokse Serbe dhe Qeverisë së Malit të Zi, një turp i paparë në historinë e gjatë të shtetit malazez, dhe njëlloj në historinë e ortodoksisë së përgjithshme”, tha presidenti malazez.

/Gazeta Sinjali/