Në seancën që u mbajt sot në Gjykatën Themelore në Mitrovicë ndaj të dyshuarit, F.R, i cili theri disa me thikë kuzhine bashkëshorten, i njëjti është deklaruar fajtor për veprën që ka kryer.
I akuzuari ka deklaruar se e pranon fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohet, duke shtuar se është penduar.
“Më vjen keq për veprën të cilën e kam kryer ndaj bashkëshortes time, kam menduar me pas një jetë sa më të mirë, është hera e parë që jam në gjykatë dhe me herët s’kam qenë asnjëherë i gjykuar”, tha i akuzuari F.R.
Prokurori deklaroi se nuk e kundërshton pranimin e fajësisë të bërë nga ana e të akuzuarit.
Gjykatësi Sinisha Mandushiq mori aktvendim me të cilin aprovoi pranimin e fajësisë nga i akuzuari.
Shpallja e aktgjykimit u caktua më 30 korrik 2021, në ora 11:00.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 2 prill 2021, kishte ngritur aktakuzë ndaj F.R.
Sipas aktakuzës, “me 9 shtator 2020, rreth orës 05:00 në shtëpinë e prindërve të tij, me dashje kishte filluar kryerjen e veprës penale të vrasjes ndaj viktimës – Q.Q e të cilën nuk e kishte përfunduar, në atë mënyrë pas mosmarrëveshjeve mes veti deri sa viktima kishte qenë duke fjetur në shtrat në dhomën e fjetjes me fëmijët e kishte goditur disa herë me thikë kuzhine nëpër trup”.
Siç thuhet në aktakuzë, i kishte shkaktuar plagë prerëse shpuese të shumta duke i shkaktuar dëmtime të rënda trupore.
I njëjti po akuzohet për veprën penale “vrasje e rëndë”.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.