image Piceria në Ukrainë: Blini një armë dhe merrni një picë falas

Botë

Piceria në Ukrainë: Blini një armë dhe merrni një picë falas

news image

Një piceri në kryeqytetin ukrainas në fillim të këtij muaji kishte një ofertë të pazakontë: Blini një armë dhe merrni një picë falas.

Merrni një picë të mesme apo të madhe nëse mund të dëshmoni se keni blerë një armë apo keni marrë leje për armë në muajin janar.

Kjo ofertë treditore në Kiev u bë nga zinxhiri i picerive Pizza Veterano – një emër që pasqyron faktin që pronari i këtij zinxhiri picerish, Leonid Ostaltsev është një veteran i luftës gati tetëvjeçare kundër separatistëve të mbështetur nga Rusia në rajonet në lindje të Ukrainës, që njihen si Donbas.

Oferta, sipas Ostaltsev, u bë në shenjë mirënjohjeje për ukrainasit që kanë blerë ose kanë marrë leje për armë në kohën e rritjes së tensioneve pasi Rusia ka grumbulluar mbi 100,000 trupa në afërsi të kufijve ukrainas, duke rritur shqetësimet se Moska mund të jetë duke u përgatitur që të nisë një ofensivë të madhe.

Kjo ofertë po ashtu luajti rol në diskutimet gjithnjë e më të mëdha të posedimit të armëve – i nxitur nga programet e trajnimit të civilëve, krijimit të njësive rajonale të mbrojtjes, të cilëve do t’u kërkohej që ta mbronin vendin në rast të një sulmi të shkallës së gjerë dhe përgatitjeve të tjera që po ndodhin teksa grumbullimi ushtarak rus po vazhdon.

“Dua të falënderoj të gjithë qytetarët, të cilët, duke e ndierë rrezikun nga lëvizjet e paparashikueshme të Rusisë, marrin vendimet e duhura dhe blejnë armë apo marrin leje për armë”, shkroi Oslaltsev në Facebook.

Postimi i Ostaltsevit përfundoi me një paralajmërim: “Dhe mos harroni gjënë më të rëndësishme! Pa stërvitje të duhur, armët janë thjeshtë metal dhe plastikë – kështu që shkoni dhe stërvituni”./REL

/Gazeta Sinjali/