Fondi Monetar Ndërkombëtar ka dhënë dritën jeshile për një këst të ri financimi në vlerë prej afro 690 milionë dollarësh, ose rreth 600 milionë euro, për Ukrainën, si pjesë e programit të mbështetjes financiare për ekonominë e vendit në kohë lufte.
Me këtë pagesë, mbështetja e deritanishme e FMN-së për Kievin arrin në rreth 2.2 miliardë dollarë, nga paketa e përgjithshme e ndihmës që kap shumën prej 8.1 miliardë dollarësh.
Lëvrimi i fondeve u miratua pasi FMN përfundoi vlerësimin e radhës të programit të reformave, në kuadër të të cilit autoritetet ukrainase janë zotuar të ruajnë stabilitetin ekonomik dhe të vazhdojnë reformat në fusha të rëndësishme, përfshirë luftimin e korrupsionit, përmirësimin e sistemit tatimor dhe forcimin e politikës monetare.
Sipas vlerësimit të FMN-së, Ukraina ka arritur të ruajë qëndrueshmërinë makroekonomike dhe financiare, pavarësisht agresionit rus që vazhdon prej shkurtit të vitit 2022 dhe sulmeve të vazhdueshme. Institucioni theksoi se zbatimi i programit deri më tani ka dhënë rezultate pozitive dhe është konsideruar, në përgjithësi, i kënaqshëm.
Drejtoresha menaxhuese e FMN-së, Kristalina Georgieva, vlerësoi rezistencën e Ukrainës përballë sfidave të luftës, duke theksuar se ruajtja e stabilitetit makroekonomik mbetet objektivi kryesor i vendit në këto rrethana të jashtëzakonshme.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!