image "Më shpëtoni"/ 18-vjeçarja shqiptare që ka mbetur në Siri kërkon ndihmë për t'u kthyer në atdhe
[wp-story id="814678"]

Shqipëri

“Më shpëtoni”/ 18-vjeçarja shqiptare që ka mbetur në Siri kërkon ndihmë për t’u kthyer në atdhe

news image

Fëmijët e familjes Shuli të mbetur në Siri po bëjnë çdo përpjekje të mundshme të rikthehen në Shqipëri. Kjo është adresa që u kanë dërguar familjarëve që t’i gjejnë, ndërsa me ankth janë në pritje.

“Ushtarët më thanë pa ardhur shteti shqiptar nuk kemi për të të marr. Ju kam treguar dhe çadrën. Çfarë duan më ata? Shteti veç gënjeshtra i ka”, ka thënë 18-vjeçarja, Elona Shuli, raporton TopChannel.

Elona që u largua nga Pogradeci 11 vjeç, e kaloi vogëlinë në mes të skamjes dhe luftës në dhe të huaj. Tani që ka mbushur 18 vjeç pas humbjes së prindërve në luftën ndaj ISIS, ka peshën për t’u kujdesur për dy motrat, vëllain dhe fëmijën e saj 4-vjeçar. Në këtë kohë agjërimi, për jetimët shqiptarë të harruar në Siri vështirësia është shtuar.

Erma Shuli: Inshallah Zoti do jemi bashkë. A keni dëgjuar ndonjë lajm andej që do vijnë të na marrin se duam të vijmë aty? Këtu është shumë keq, vapë shumë e madhe dhe pa asnjë lekë. Është shumë keq, ne hamë syfyrin bukë thatë edhe e çelim me bukë thatë. Shteti nuk është t’u ardhë, veç me fjalë ‘do vij, do vij’.

Elona Shuli: Këta janë fëmijë kanë qejf të gëzohen. Ku e kanë idenë fëmijët a je në kamp a je në shkretëtirë, ku e kanë idenë këta, veç duan të hanë, të pinë, të gëzojnë se erdhi Bajrami.

Elona si më e madhja e fëmijëve, numëron të gjithë largimet e shtetasve të tjerë, ndërsa për autoritetet shqiptare ka të njëjtën pyetje, kur do jetë radha e tyre?!

Elona Shuli: Çfarë thuhet ndonjë gjë andej? Se këtej s’di ç’të të them. Ka pak ditë se edhe një shtet iku, u rikthye në vend të vetë. Nëse Shqipëria do të na marrë, ajo vjen. Ai shteti erdhi, Uzbekistani është. Erdhi herën e parë mori ca, erdhi e para pak ditësh mori edhe të tjerët. I riktheu në vend të vetë. Ndërsa Shqipëria më duket se fle gjumë akoma. Po hë inshallah, çdo gjë durim, pa durim s’bëhet gjë.

Thirrjet e Elona Shulit nga kampi sirian, gjithmonë e më shumë ngjajnë me zëra të pashpresë që vijnë nga ferri. Vajza e re kërkon ndihmë, por kjo ndihmë nuk po i shkon. Me sa duket, autoritetet shqiptare nuk e kanë më në fokus tragjedinë e këtyre fëmijëve të burgosur për faj të prindërve të tyre.

Megjithatë, Elona nuk lodhet së thirruri me besimin se dikush do ta kthejë në shtëpi, në krahët e gjyshërve që e presin për më shumë se shtatë vite./Gazeta Sinjali/