image Më 24 mars mbahet seancë me rastin e 23-vjetorit të bombardimeve të NATO-s

Politikë

Më 24 mars mbahet seancë me rastin e 23-vjetorit të bombardimeve të NATO-s

news image

Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë me 24 mars, nga ora 11:00, me rastin e 23-vjetorit të bombardimeve të NATO-s

Ndërkaq në orën 13:00, do të mbahet seancë e rregullt plenare.

Kuvendi do të shqyrtojë për herë të parë Projektligjin për Kompensimin e Viktimave të Krimit, si dhe atë për Pronën Publike, ndërsa në lexim të dytë Projektligjin për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështjet civile, si dhe atë për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështje penale.

Seanca do të vazhdojë me shqyrtimin e dy raporteve: raportit me rekomandime lidhur me mbikëqyrjen e Ligjit për Infrastrukturën Kritike, si dhe ato lidhur me raportin e auditimit për pasqyrat financiare të ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për vitin 2020.

Do të votohet po ashtu për propozimin e GP të Listës Serbe për emërimin e anëtarit në Komisionin Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit për Ankesa të Mediave, si dhe pritet të zgjidhen anëtarët e Komisionit për Ndihmë Shtetërore.

Pikë e fundit e rendit të ditës së kësaj seanca do të jetë themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Kryesia, në mbledhjen e sotme, procedoi për mendim në qeveri Projektligjin për Komisionerin Parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 04/L-101 për Fondet Pensionale të Kosovës, i plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin nr. 04/L-115, me Ligjin nr. 04/L-168 dhe Ligjin nr. 05/L-116, si dhe atë për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve Medicinale.

Kryesia po ashtu vendosi që në bazë të rekomandimit të Komisionit Ad-hoc, të shpallet konkursi për dy anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, nga komunitetet joshqiptare.

/GazetaSinjali/