Pavarësisht masave të Qeverisë për luftimin e COVID-19, qytetarët po vazhdojnë që t’i thyejnë ato. Kurse, ndër rastet më të shpeshta të thyerjes së këtyre rregullave është edhe organizimi i dasmave, shkruan Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur dje në Prizren, ku policia ka njoftuar se kanë mbyllur një lokal, i cili që nga vendosja e këtyre masave nga Qeveria, i ka thyer vazhdimisht ato.
“Në lidhje më këtë rast është informuar edhe Inspektori Sanitar. Duhet theksuar se i njëjti sallon i dasmave konsiderohet një recidivist i thyerjes së rregullave për çka vazhdimisht është gjobitur dhe i është mbyllur lokali”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Tutje policia ka njoftuar se pronari i sallonit (lokalit) të dasmës është gjobitur me gjobë në vlerë prej 500 eurosh, kurse organizatori me gjobë në vlerë prej 200 eurosh.
Gjithashtu dasmorët që ishin pjesëmarrës në këtë aheng janë shpërndarë nga policia. /Gazeta Sinjali/