Inspektorati i Komunës së Ferizajt ka mbyllur nëntë lokale, të cilat dyshohet se ushtronin veprimtari devijante, raporton Gazeta Sinjali.
Lajmi u bë i ditur nga Komuna e Ferizajt, e cila njoftoi se lokalet në fjalë nuk posedonin dokumentet përkatëse, kushtet higjieno-teknike dhe nuk respektonin udhëzimet mbrojtëse ndaj COVID-19.
“Leva e kontrollit shtetëror përkatësisht Inspektorati i Komunës, është vazhdueshëm në terren në kontrollet e subjekteve të ndryshme afariste. Mbrëmë, pas një aksioni të mirëkoordinuar mes Inspektoratit të Komunës, Njësisë së Hetimit të Trafikimit me Qenie Njerëzore, inspektorëve të ATK-së dhe inspektorëve të punës, pas inspektimeve që u zhvilluan në rrugët “Kemajl Hetemi”, “Qamil Ilazi”, “Mejdi Xhaferi”, “At Nik Prela” dhe “Shën Tereza” në 11 subjekteve gastronomike”, thuhet në njoftimin e Komunës.
Kjo komunë ka bërë të ditur po ashtu se ky aksion i Inspektorëve të Ferizajt do të vijojë edhe ditëve e javëve në vijim, në gjithë territorin tonë, për të vënë ligjshmërinë e zbatimin e rregullit në subjekte afariste që nuk përmbushin këto kushte./Gazeta Sinjali/