image Mbretëria e Bashkuar premton 20 milionë doza vaksinash për vendet e varfëra - Sinjali

Mbretëria e Bashkuar premton 20 milionë doza vaksinash për vendet e varfëra

news image

Mbretëria e Bashkuar do të dhurojë 20 milionë doza të vaksinës AstraZeneca për vendet në zhvillim, si pjesë e përpjekjeve për të ndarë vaksinat me vendet që u mungojnë shumë ato. Kështu ka bërë të ditur Kryeministri britanik, Boris Johnson.

Johnson e bëri njoftimin teksa mbërriti në Romë për samitin e liderëve të G-20, i cili fillon këtë të shtunë, shkruan Euronews.

Mbretëria e Bashkuar thotë se 10 milionë doza i janë dërguar programit të ndarjes së vaksinave COVAX të mbështetur nga Kombet e Bashkuara dhe 10 milionë të tjera do t’i dërgojnë në javët e ardhshme.

Ato bashkohen me 10 milionë doza që tashmë janë dorëzuar dhe janë pjesë e angazhimit të Britanisë për të ndarë 100 milionë doza me vendet më në nevojë deri në mesin e vitit 2022.

Britania dhe vendet e tjera të pasura janë akuzuar për grumbullimin e më shumë vaksinave sesa u nevojiten, ndërsa disa vende, veçanërisht në Afrikë, kanë pak.

Ish-kryeministri britanik Gordon Brown, i dërguar shëndetësor i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, u ka kërkuar vendeve të G-20 që të shpejtojnë gjërat dhe të dërgojnë doza të papërdorura në botën në zhvillim.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin