image Mblidhet grupi punues i BE-së, në agjendë liberalizimi i vizave për Kosovën

Politikë

Mblidhet grupi punues i BE-së, në agjendë liberalizimi i vizave për Kosovën

news image

Grupi punues i Këshillit të Bashkimit Evropian për viza do të mblidhet në një takim dyditor që nis sot. Në agjendë të këtij grupi do të jetë edhe Kosova, por për vendin tonë pritet të diskutohet gjatë së premtes.

Çështja e liberalizimit të vizave për shtetasit kosovarë mori një tjetër kthesë të papritur në tetor në takimin paraprak të këtij grupi pas kërkesës së Francës, mbështetur nga disa shtete të tjera, që këtë proces ta ndërlidhë me disa kërkesa të tjera.

Franca ka kërkuar që liberalizimi të kushtëzohet me vënien në funksion të sistemit për siguri në Evropë, ETIAS, sistem ky për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit, por që i njëjti akoma nuk është funksional.

Përmes këtij sistemi, qytetarët e shteteve për të cilat janë liberalizuar vizat, duhet të regjistrojnë të dhënat e tyre para se të udhëtojnë në BE. Atëherë do të marrin konfirmimin elektronik dhe kjo do të vlejë për tre vjet.

Po ashtu, Kosovës i është kërkuar që të harmonizojë politikën e vizave me atë të Bashkimit Evropian, të rrisë kontrollin e kufijve dhe vazhdimin e riatdhesimit të atyre që duhet të lëshojnë territorin e BE-së.

Megjithatë, Qeveria e Kosovës e ka quajtur të padrejtë kushtëzimet e reja të Francës duke thënë se vendi ynë ka plotësuar të gjitha kërkesat e kërkuara dhe nuk mund të ketë të tjera.

/GazetaSinjali/