Pas vendimit të serbëve të veriut për të brasktisur punën edhe në sistemin prokurorial e atë gjyqësor në veri të Kosovës, udhëheqësit e Këshillit Gjyqësor e Prokurorial të Kosovës kanë thirrur takime urgjente për të diskutuar për situatën e krijuar, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit, tregojnë se Këshilli Gjyqësor e Prokurorial pritet të shqyrtojnë, miratojnë apo refuzojnë dorëheqjet e prokurorëve e gjyqtarëve serbë.
Pastaj nëse miratohen dorëheqjet e gjyqtarëve e prokurorëve, lista i dërgohet Presidentës për lirim nga detyra.
Nga Këshilli Prokurorial, tregojnë se pas situatës së krijuar në veri dhe paralajmërimeve për bojkotimin e punës kryesuesi i KPK-së Jetish Maloku, U. D. i kryeprokurorit Besim Kelmendi dhe zyrtarë të tjerë të sistemit prokurorial janë mbledhur dhe po diskutojnë për hapat e ardhshëm.
Po ashtu edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës, ka thirrur takim për në orën 12.00 për të diskutuar për situatën, ku pos kryetarit të KGJK-së Albert Zogaj do të marr pjesë edhe kryetari i Gjykatës Supreme Enver Peci dhe zyrtarë të tjerë.
Nga Gjykata Themelore e Mitorvicës, tregojnë për Sinjalin se kryetarja e Gjykatës Ljiljana Stevanoviç, gjyqtari i Gjykatës së Apelit dhe anëtari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nikola Kabasiq, gjyqtarët dhe stafi administrativ kanë paraqitur edhe zyrtarisht sot dorëheqjet.
Sipas marrëveshjes së Brukselit posti i kryetarit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë i takon komunitetit serb.
Derisa në këtë institucion punojnë 25 gjyqtarë serbë nga 39 sa janë në tërë sistemin gjyqësor dhe rreth 200 staf administrativë zyrtarë.
Në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës sipas marrëveshjes së Brukselit ka 10 prokurorë e rreth 20 staf administrativë.
Ky institucion përfshinë territorin e Mitrovicës së Jugut, Mitrovicës Veriore, Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit, Skenderajt dhe Vushtrrisë.
PThM ka 19 prokurorë dhe 65 staf mbështetës.