Konfliktet në Siri dhe Afganistan kanë ndikuar që të rritet numri i azilkërkuesve në vendet e BE-së. Vetëm në nëntë muajt e parë të këtij viti mbi gjysmë milioni aplikime për azil janë paraqitur, sipas Agjencisë Evropiane për Mbështetjen e Azilit (EASO).
Përqindja e vendimeve pozitive për azil, nga janari deri në shtator të këtij viti ishte 34%, me një rritje të lehtë në krahasim me nëntë muajt e parë të 2018, e cila ishte 33%.
Shumica e kërkesave u paraqitën nga sirianët, afganët dhe venezuelasit.
Nga të dhënat del se vendet më pak të dendura me popullsi ishin ato që i nënshtroheshin presionit më të madh.
Për shembull, në korrik, shumica e kërkesave u paraqitën në Qipro dhe Maltë, e ndjekur nga Greqia, Suedia dhe Luksemburgu.
Në veçanti, Qipro ka marrë mesatarisht rreth 1500 kërkesa për azil për një milion banorë, pothuajse dyfishin e asaj të Maltës (700), dhe tre herë ato të Greqisë (mbi 450).
Ndërsa, fluksi i migrantëve ka prekur të gjithë Ballkanin Perëndimor e poashtu edhe vendin tonë, vetëm gjatë këtij viti në Kosovë kanë hyrë afro 1 mijë e 600 persona si migrantë. Krahasuar me vitet paraprake numri i migrantëve është rritur për tre qind për qind (300%). /Gazeta Sinjali/