image Mbi gjysmë milion qytetarë të Kosovës janë vaksinuar tërësisht kundër COVID-19

Shëndetësi

Mbi gjysmë milion qytetarë të Kosovës janë vaksinuar tërësisht kundër COVID-19

news image

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se deri tani, mbi 500 mijë qytetarë janë imunizuar me dy dozat e vaksinës anti-COVID, raporton Gazeta Sinjali.

Në njoftimin e qeverisë bëhet e ditur se vetëm gjatë muajit shtator janë bërë mbi 400 mijë termine për vaksinim.

“Deri më sot, me dy doza të vaksinës janë vaksinuar mbi 500 mijë qytetarë të Republikës së Kosovës. Kosova, që procesin vaksinimit e ka filluar e fundit në rajon, falë vaksinimit masiv, sidomos gjatë muajve gusht dhe shtator, tani ka lënë prapa katër shtete të Ballkanit Perëndimor, për nga përqindja e banorëve të vaksinuar. Vetëm gjatë muajit shtator janë rezervuar mbi 400 mijë termine për vaksinim”, thuhet ndër të tjera në këtë njoftim.

Për këtë arritje, qeveria i ka dhënë meritë ekipeve të vaksinimit, ekipeve menaxhuese, komitetit të imunizimit dhe qytetarëve, që i janë përgjigjur pozitivisht thirrjeve të ekspertëve shëndetësorë.

Qeveria e Kosovës u ka bërë apel qytetarëve të caktojnë terminin e vaksinimit dhe të imunizohen kundër koronavirusit.

“Vaksinimi po vazhdon. Çdo ditë të javës, përfshirë fundjavat. Andaj caktoni terminin tuaj, për veten dhe familjarët tuaj. Bashkë ia dalim”, apelon qeveria./Gazeta Sinjali/