image Mbi gjysmë milion euro shpenzime dhe kartela ‘sekrete’ e Dardan Gashit që kushtoi 15 mijë euro

Kosovë

Shpenzime/ Mbi gjysmë milion euro shpenzime dhe kartela ‘sekrete’ e Dardan Gashit që kushtoi 15 mijë euro

news image

Ministri Dardan Gashi dhe vartësit e tij në Ministrinë e Diasporës, i kanë kushtuar buxhetit të shtetit më shumë se gjysmë milioni euro. Duke përfshirë pagat, mëditjet, udhëtimet, dreka, darka dhe shpenzimet për udhëtim, ata kanë shpenzuar më shumë 642 mijë euro, raporton Gazeta Sinjali.

Kampion për nga shpenzimet pa dyshim se është ministri, Dardan Gashi, që kishte fituar postin e ministrit pa qenë pjesë e asnjë partie politike.

Si i vetëm, ai ka shpenzuar më shumë se 83 mijë euro pa përfshirë këtu pagën e tij mujore.

Gazeta Sinjali ka kërkuar qasje në dokumentet zyrtare të shpenzimeve të kabinetit të ministrit Dardan Gashi në Ministrinë e Diasporës, ku nga aty bie në sy se ministri prin dukshëm me shpenzime.

Në gjithë harxhimet në krah të shtetit, ministri Gashi, ka shpenzuar afër 15 mijë euro vetëm nga kredit kartela, ndërkohë që mbetet enigmë se për cka janë bërë këto shpenzime me kartelë.

Përveç ministrit Gashi edhe zv/ministrat e tij kanë shfrytëzuar kredit kartelën.

Afrim Bekteshi që mbanë postin e zv/ministrit ka shpenzuar më shumë se 2 mijë euro nga kredi kartela, zv/ministri që humbi jetën aksidentalisht vitin e kaluar, Arian Daci kishte shpenzuar 1 mijë e 478 euro, ndërsa zv/ministrit tjetër Isni Kilaj kishte shpenzuar 744 euro,

Në fakt shpenzimet nga kredit kartela janë bërë vetëm gjatë vitit 2018, që në total ministri dhe zv/ ministri kanë shpenzuar mbi 19 mijë euro.

Muaji i mistershëm që i kushtoi dyfish në paga

Muaji qershor i vitit 2018, duket të ketë qenë një muaj mjaftë i mistershëm për kabinetit e Dardan Gashit sa i takon çështjes së pagave. Në këtë muaj ishin dyfishuar shpenzimet për paga, ndërsa nuk dihet se cila të ketë qenë arsyeja, raporton Gazeta Sinjali.

Në këtë muaj për kabinetin e ministrit Dardan Gashi, vetëm për paga janë shpenzuar mbi 40 mijë euro, ndërsa deri në atë muaj ky kabinet nuk kishte shpenzuar në paga më shumë se 19 mijë euro.

Rreth 480 mijë euro janë shpenzuar vetëm për paga të kabinetit të ministrit që nga shtatori i vitit të 2017 deri në gushtin e vitit 2019.

Sa kushtuan mëditjet e kabinetit të Dardan Gashit?

Më shumë se 42 mijë euro kanë kushtuar mëditjet e kabinetit të Ministrisë së Diasporës për vitet 2018 dhe 2019.

Zv/ministrat Afrim Bekteshi dhe Çerim Bajrami i kanë bërë konkurrencë Dardan Gashit për nga mëditjet e fituara gjatë këtyre dy viteve.

Mbi 8 mijë euro ka fituar nga mëditjet ministri Dardan Gashi. 2018-a i solli atij fitime nga mëditjet mbi 6 mijë euro, ndërsa gjashtë muajt e parë të këtij viti afër 2 mijë euro.

Mëditjet kanë qenë fitimprurëse edhe për zv/ministrin Afrim Bekteshi, i cili vetëm për një vit e gjysmë, nga mëditjet ka fituar afër 6 mijë euro. Në vitin 2018 fitoi afër 4 mijë euro, ndërsa në gjashtë muajt e parë të këtij viti ai fitoi mbi dy mijë euro.

Në anën tjetër edhe zv/ministri Çerim Bajrami vetëm nga viti i kaluar nga mëditjet kishte përfituar më shumë se 2 mijë euro.

Megjithatë mëditjet ishin të bereqetshme jashtëzakonisht shumë edhe për këshilltarin e ministrit, Jerry Rexha, i cili në vitin 2018 përfitoi më shumë se 3 mijë euro.

Mëditjet kishin qenë të mirëseardhura edhe për sigurimin dhe vozitësin, Florim Berisha, i cili kishte fituar afër 5 mijë euro. 2 mijë e 933 euro kishte përfituar në vitin 2018, ndërsa në vitin 2019 afër 2 mijë euro, raporton Gazeta Sinjali.

Kilometrat e harxhuara nga Ministria e Diasporës

Gjashtë veturat e kabinetit të ministrit Dardan Gashi, kanë udhëtuar më shumë se 200 mijë kilometra, ndërsa kanë harxhuar afër 14 mijë litra derivate.

Kalkuluar me çmimin të ulët të derivateve, i bije që gjashtë veturat kanë shpenzuar vetëm për derivate më shumë se 15 mijë euro.

“Reno Megano”, që ishte në shfrytëzim të zv/ministrit, Afrim Bekteshit, ka udhëtuar më së shumti. Afër 55 mijë kilometra kësaj veture ia ka bërë vetëm zv/ministri Bekteshi, duke shpenzuar më shumë se 3 mijë litra derviate.

Në anën tjetër edhe veturës “Pezho” që ishte në dispozicion të zv/ministrit tjetër, Çerim Bajramit i janë shtuar dukshëm kilometrat e kaluara. Zv/ministri ia shtoi edhe më shumë se 38 kilometra. /Gazeta Sinjali/