image Mbi 45 milionë euro, borxhi i konsumatorëve për ujë e mbeturina, kompania “Prishtina” dërgon 3 mijë lëndë te Përmbaruesi

Kosovë

Borxhet/ Mbi 45 milionë euro, borxhi i konsumatorëve për ujë e mbeturina, kompania “Prishtina” dërgon 3 mijë lëndë te Përmbaruesi

news image

Mbi 45 milionë euro është shuma e borxheve që kanë konsumatorët ndaj shërbimit të ujësjellësit dhe kanalizimit në zonën që e mbulon Kompania Rajonale e Ujësjellësit ,,Prishtina,, ku përfshihen komunat Prishtinë, Fushë Kosovë, Lipjan, Podujevë, Obiliq, Shtime, Drenas dhe Graçanicë, raporton Gazeta Sinjali.

Sipas zyrtarëve të kësaj kompanie, në përiudhën 6 mujore (prill- shtator 2019) janë dërguar për ekzekutim te Përmbaruesi Privat rreth 3.000 lendë.

Zëdhënësja Arjeta Mjeku paralajmëron se nëse një konsumator ka borxhe mbi 300 euro, lënda automatikisht dërgohet te Përmbaruesi.

“Nga data 24 prill 2019 ka formuar  komisione të veçanta për verifikimin dhe dërgimin/procesimin e lëndëve te Përmbaruesit Privat, të konsumatorëve që kanë obligime të pashlyera ndaj shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit dhe të atyre konsumatorëve të cilët kanë përfituar nga Ligji për Faljen e Borxheve Publike dhe të cilët nuk iu janë përmbajtur kontratës së nënshkruar nga të dyja palët. Ky proces, me të formuar komisionin brenda kompanise ka filluar të punojë intensivisht që nga ky vit”, ka theksuar për Gazetën Sinjali, zëdhënësja e Ujësjellësit Rajonal, “Prishtina”, Arjeta Mjeku.

Nga Ligji për Faljen e Borxheve Publike kanë përfituar mbi 52 mijë konsumatorë, por sipas Mjekut, një pjesë e konsiderushme e tyre nuk i janë përmbajtur marrëveshjes kontraktuale.  Zëdhënësja e Ujësjellësit thotë se përveç dërgimit të lëndëve të borxhlinjëve tek përmbaruesi, ujësjellësi po aplikon edhe shkyçjet individuale. Mesatarja mujore e realizimit të shkycjeve individuale në zonën e shërbimit është rreth 50, thekson zëdhënësja Mjeku teksa bën të ditur se komuna e cila prin me pagesë të rregullt është Prishtina.

“KRU “Prishtina” sh.a.  i’u ka ofruar bashkëpumin dhe mundësi të lehta të ndryshme ( riprogramim  për   borxhe të akumuluara, andaj u kemi bërë thirrje konsumatorëve  që ta shfrytëzojeni këtë mundësi, sepse lëndët e dërguara te Përmbaruesit janë shpenzime shtesë për ta, derisa KRU,,Prishtina,, nuk aplikon asnje kamate për asnjë konsumatorë të saj).”, ka thënë Mjeku.

Ajo shton se aktualisht furnizimi me ujë në 8 komuna që menaxhohen nga Ujësjësjellësi Prishtina, është stabil ndërsa niveli i ujit në liqene akumuluese Batllava dhe Badoci tash është mbi 7 metra nën kuotën maksimale të kapërderdhjes.

Por, zëdhënësja e Ujësjellësit paralajmëron se në të ardhmen komunat e Lipjanit, Shtimes dhe Drenasit mund të përballen me mungesë të ujit të pijës si pasojë e rritjes së kërkesës dhe mungesës së burimimeve ujore.

“Në bazë të analizave dhe planeve afatgjatë rezulton që, të vetmet zona që në të ardhmen mund të kenë probleme me mungesa të burimeve ujore si pasojë e rritjes se kërkesës janë komuna e Lipjanit, Shtime dhe Drenas, të tjerat do të jenë me mbulueshmëri të njejte duke u përmirësuar deri në 100 %, pavarësisht qe me shërbimet tona ne ju ofrojmë mbulueshmëri afro 92 % të popullsisë së zonës tonë të shërbimit”, ka thënë Mjeku.

Zyrtarët e Ujësjellësit “Prishtina” thonë se nuk ka resurse të mjaftueshme të rezervave të ujit pasi që akumulacionet në dispozicion varen vetëm nga reshjet atmosferike të shiut e borës. Ata thonë se kjo situatë vjen e ndërlikohet me zgjatjen e thatësirave, si pasojë e ndryshimeve klimatike duke paralajmëruar se në dekadën që po vjen njerëzimi do të përballet me mungesat e këtij resursi kryesore për jetën. /Gazeta Sinjali/