image Mbi 350 punonjës të RTK-së nënshkruajnë peticionin për shkarkimin e kryetarit të Bordit, Besnik Boletini

Kosovë

Mbi 350 punonjës të RTK-së nënshkruajnë peticionin për shkarkimin e kryetarit të Bordit, Besnik Boletini

news image

Sindikata e Punëtorëve e Radiotelevizionit të Kosovës ka njoftuar se 361 punëtorë të RTK-së i janë përgjigjur pozitivisht peticionit për shkarkimin e kryetarit të Bordit të RTK-së, Besnik Boletini.

Sipas njoftimit, të punësuarit e RTK-së janë të indinjuar thellë me “gjuhën denigruese të kryetarit të Bordit të RTK-së, Besnik Boletini, të shprehur publikisht përmes ofendimeve e etiketimeve jonjerëzore ndaj tyre, duke përqeshur veshjet e tyre si dhe duke përbuzur angazhimin e tyre profesional”.

Po ashtu, thuhet se janë të shqetësuar për bisedat e tij informative me kandidatet më të poentuara për pozita menaxheriale gjatë konkursit, me qëllim të dekurajimit dhe frikësimit të tyre.

“Përmes këtij peticioni të nënshkruar me vullnetin e lirë, kërkojnë shkarkimin e menjëhershëm të Kryetarit të Bordit të RTK-së, Besnik Boletini. Nga një kopje e peticionit do të iu dërgohet kryetarit të Kuvendit, Grupeve Parlamentare si dhe Komisioneve përkatëse”, bëhet e ditur në komunikatën për media.

Ndryshe, Bordi i RTK-së ditë ma parë ka miratuar propozimin që punëtorët të raportojnë për punët që kryejnë brenda orarit e më pas të bëhet edhe raport mujor për punën e secilit.

Ky vendim është marrë pasi në Bord është potencuar se ka pretendime që disa punëtorë ‘i ikin’ punës.

Madje, drejtori i Bordit, Besnik Boletini, ka thënë se ka marrë informacione se ka punëtorë që shkojnë në punë në pizhame e nuk respektojnë orarin e punës.

“Mendoj se duhet të marrim një vendim për raport mujor të secilit punëtor në RTK sepse unë përditë marr informacione se punëtorët vijnë me pizhame, miniqa, vijnë bëjnë check out dhe kjo është e papranueshme”, ka deklaruar ai.

/GazetaSinjali/