image Mbi 300 punëtorë vullnetarisht largohen nga Telekomi

Kosovë

Mbi 300 punëtorë vullnetarisht largohen nga Telekomi

news image

Ka përfunduar procesi i verifikimit të aplikimeve të punëtorëve të Telekomit për shkëputje vullnetare të marrëdhënies së punës. Nga 383 aplikime, 302 është numri final i punëtorëve që janë larguar vullnetarisht nga puna.

Sivjet Telekomi ua ofroi mundësinë punëtorëve të vet një “pako dalëse”. Aty parashihej që kushdo që ishte paraparë të dilte në pension në katër vitet e ardhshme, të pensionohej para kohe dhe të përfitonte 60 për qind të pagës aktuale bruto në periudhën deri në pensionim.

Ndërkaq nga pakoja e dytë ishte ofrimi i 24 pagave bruto për këdo që ndërpret kontratat vullnetarisht.

Në një komunikatë të Telekomit bëhet e ditur se ulja e shpenzimeve ka qenë ndër synimet kryesore strategjike të menaxhmentit të Telekomit sivjet.

“Duke konstatuar, pas shumë hulumtimesh, analizash e diskutimesh të brendshme se një pjesë e madhe e stafit edhe përkundër përpjekjeve mbetet i paangazhuar dhe se me kontributin e tyre nuk i arsyetojnë shpenzimet që i ka kompania për pagat e tyre, si dhe duke marrë parasysh të drejtat e tyre ligjore dhe ikjen nga vendimmarrja subjektive, një nga idetë për uljen e këtyre shpenzimeve ishte oferta për largimin vullnetar të të punësuarve të cilët janë të zëvendësueshëm për kompaninë ndërkohë që ata shohin perspektivë për angazhime të tjera jashtë kompanisë”.

Në tri afate të aplikimit, bëhet e ditur se largimin e kanë kërkuar 383 punëtorë.

Megjithatë, 27 prej tyre u është refuzuar aplikimi pasi që është konsideruar se largimi i tyre ka ndikim negativ në operimet e kompanisë dhe se zëvendësimi s’mund të bëhet nga stafi i brendshëm. 11 aplikacione janë refuzuar për shkak të problemeve procedurale. Ndërkaq, 43 tjerë i kanë rënë pishman dhe kanë tërhequr aplikimet.

Në fund, janë miratuar 64 largime në pension të parakohshëm dhe 238 largime të menjëhershme në kuadër të pakos së dytë dalëse, gjithsej 302.

/GazetaSinjali/