Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se në 24 orët e fundit është shënuar rekord i qytetarëve që janë vaksinuar me vaksinën kundër koronavirusit.
Në njoftimin e ministrisë bëhet e ditur se gjatë 24 orëve të fundit janë vaksinuar 19 mijë e 609 qytetarë.
Numri i të vaksinuarve deri më tani në vend ka shkuar në 343 mijë e 330, ndërkaq 102 mijë e 210 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.
“Në 24 orët e fundit janë dhënë 19.609 doza të vaksinës kundër COVID-19. Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 343.330 doza të vaksinës. Deri më sot 102.210 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë”, thuhet në njoftimin e MSH-së.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka bërë thirrje te qytetarët ta marrin vaksinën kundër COVID-19.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Kurti ka thënë se Kosova është vendi i vetëm në rajon që po përdorë vetëm vaksinat e aprovuara nga Agjencia Federale e Barnave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Agjencia Evropiane e Barnave.
Ai u ka rikujtuar qytetarëve se mund të zgjedhin vaksinën që dëshirojnë ta marrin.
“Me kujtimin për të dashurit që humbëm nga pandemia, të kujdesemi për veten dhe njerëzit tonë të afërm duke u vaksinuar. Të përgjegjshëm individualisht dhe për njëri-tjetrin, bashkë ia dalim!”, ka shkruar Kurti./GazetaSinjali/