image Mbi 1 mijë raste aktive me COVID në Ulqin

Rajon

Mbi 1 mijë raste aktive me COVID në Ulqin

news image

Autoritetet shëndetësore vlerësojnë se qyteti bregdetar i Ulqinit po shënon një situatë më të rënduar epidemiologjike në Mal të Zi.

Ata vlerësojnë se situata u rëndua për shkak të mosvaksinimit të duhur të qytetarëve, por edhe për shkak se gjatë këtyre muajve të verës u shënua një fluks i madh i turistëve dhe nuk u zbatuan me përpikëri masat kundër pandemisë.

Autoritetet shëndetësore të Malit t Zi paralajmërojnë për një vjeshtë tejet të vështirë me COVID-19 për shkak të përhapjes së shpejtë të variantit Delta.

Një përhapje e tillë e virusit u reflektua këtë muaj edhe në qytetin bregdetar të Ulqinit, si pasojë e mosrespektimit të masave kundër pandemisë.

Epidemiologu Kreshnik Mustafa, vë në dukje, përhapjen e shpejtë të COVID-19, e cila po shkakton një situatë të rënduar në qytet.

“Ditëve të fundit kemi një rritje shumë të madhe të rasteve pozitive me virusin SARS COV 2. Situata për momentin është e rënduar, por shpresojmë se qytetarët e Ulqinit do të përpiqen të respektojnë masat. Nëse ata respektojnë masat atëherë do të na ndihmojnë edhe neve si punonjës të sistemit shëndetësorë të arrijmë ta përballojmë sa më mirë këtë situatë”, tha zoti Mustafa për Zërin e Amerikës.

Ndërkaq, situatës së rënduar epidemiologjike në komunën bregdetare të Ulqinit, sipas kryetarit të Komunës së Ulqinit, i ndihmoi edhe sezoni i turizmit ku gjatë muajve të verës u shënua një fluks i madh i turistëve.

Në qytetin e Ulqinit, ku po qëndron një numër i madh i turistëve nga rajoni e sidomos nga Kosova, vërehet një rritje e dukshme e të infektuarve.

Në këtë komunë bregdetare janë mbi 1000 raste aktive, kurse në Mal të Zi aktualisht janë 7500 raste aktive të të infektuarve.

Nga fillimi i pandemisë numri i të infektuarve po arrin gati 113 mijë.

Si pasojë e COVID-19 në Mal të Zi kanë humbur jetën 1 mijë e 710 persona.

/GazetaSinjali/