Në Bunol të Spanjës në këtë kohë të vitit, mblidhen me mijëra adhurues të luftës së famshme me domate të njohur ndryshe si Tomatina.
Kjo ‘luftë’ mbahet për çdo vit dhe zhvillohet vetëm për kënaqësi, transmeton Sinjali.
Organizatorët e kësaj lufte kishin sjellë 145 tonë domate me 6 kamionë të mëdhenj për t’u siguruar që askush të mos mbetet pa lëndën e parë të luftës, duke e shijuar kështu plotësisht këtë ditë që e shndërron qytetin e vogël spanjoll në një det në ngjyrë të kuqe e rozë.
Disa pjesëmarrës kishin marrë masa, duke mbrojtur sytë me syze, ndërsa një pjesë e ndërtesave ishin mbuluar me një shtrojë mbrojtëse nga lëngu dhe pulpat e domateve që fluturojnë në ajër, duke krijuar një skenë të denjë për një pikturë moderne arti.
Bashkia e Bunolit për këtë festival në këtë vit ka shpërndarë më shumë se 20.000 bileta.
Tomatina thuhet se e ka origjinën nga një grindje spontane mes fshatarëve në vitin 1945. Ajo u ndalua për një kohë të gjatë në 1950-tën, në kohën e diktaturës së gjeneralit Francisco Franco, megjithatë arriti të mbijetonte duke fituar 3 dekada më vonë popullaritet në mbarë Spanjën./Sinjali/