Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, ka reaguar ashpër ndaj raportimeve të një personi në Prizren i cili cilësohet si mësimdhënës ku ishte fotografuar me disa nxënës dhe me flamurin turk duke bërë përshëndetje ushtarake.
Në reagimin e MASHT-it, thuhet se shkollat nuk janë hapësira për aplikimin e asnjë lloj ideologjie dhe abuzimi në forma të tillë me fëmijët.
“Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), reagon ashpër ndaj rastit, i cili është paraqitur në media, ku shihet një person i rritur (që besohet të jetë mësimdhënës), dhe disa fëmijë në një shkollë në Prizren, me flamurin e shtetit turk dhe duke bërë përshëndetje ushtarake”.
“Shkollat nuk janë hapësira për aplikimin e asnjë lloj ideologjie dhe abuzimi në këtë formë me fëmijët është në kundërshtim me konventat ndërkombëtare dhe me ligjet e aplikueshme në Kosovë”, thuhet në reagim.
MASHT ka paralajmëruar se që nga dita e sotme do të dërgojë inspektorë në shkollën ku raportohet se ka ndodhur ky rast për ta hetuar.
“Prandaj, MAShT gjatë ditës së sotme do të dërgojë inspektorët e arsimit në shkollën në fjalë për të marrë informacione zyrtare rreth këtij rasti, në mënyrë që të kenë informata të sakta për ta adresuar këtë rast dhe për të marrë masa ndaj përgjegjësve”.
“MAShT fton mësimdhënësit, nxënësit, prindërit dhe gjithë komunitetin, që të reagojnë dhe ta paraqesin çdo rast të abuzimit me fëmijët, sepse vetëm në këtë mënyrë do të mund të mbrojmë fëmijët tanë nga çdo lloj rreziku që iu kanoset”, thuhet në reagimin e MASHT-it./Gazeta Sinjali/