Ministria e Shëndetësisë e ka publikuar manualin për t’u mbrojtur nga koronavirusi pas shtimit të rasteve të reja me COVID-19. Në mesin e udhëzimeve në manual, janë të përshkruara edhe disa mënyra për ta parandaluar përhapjen e virusit në vendin e punës.
Manuali udhëzon punëdhënësit që t’i marrin menjëherë disa masa edhe nëse nuk ka raste me COVID-19 në kompaninë/biznesin që drejtojnë. “Këto masa mund t’i ulin mungesat në punë për shkak të sëmundjes dhe ta parandalojnë ose ngadalësojnë përhapjen e COVID-19”, thuhet në manual, shkruan Gazeta Sinjali.
Rregullat për dezinfektim të mjedisit dhe materialeve
Për shkak të mundësisë së virusit që të mbijetojë në mjedis për disa ditë, lokalet dhe zonat të cilat janë potencialisht të kontaminuara me COVID-19 duhet të pastrohen para ripërdorimit të tyre duke përdorur produkte që përmbajnë preparate antimikrobike që, siç thuhet në manual, janë efektive kundër koronavirusëve.
“Edhe pse ka mungesë të provave specifike për efektivitetin e tyre kundër SARS-CoV-2, pastrimi me ujë dhe me detergjentë dhe produkte të zakonshme dezinfektuese shtëpiake duhet të jenë të mjaftueshme për pastrimin dhe parandalimin”, thekson manuali.
Dezinfektimi me preparate të klorit/zbardhues shkatërron mikrobet
Manuali udhëzon të përdoren tretjet e dezinfektantit klorik: 0.05% ose 0.5%.
“Tretja 0.5% shkatërron shpejt mikroorganizmat, ndërsa tretja 0.05% i shkatërron ato brenda 30 minutave”.
Sa shpesh duhet të bëhet pastrimi dhe dezinfektimi?
Manuali thotë se pastrimi dhe dezinfektimi duhet të bëhen herë në ditë (në mëngjes, drekë dhe në mbrëmje). “Sipërfaqeve (tavolinat, karriget dhe gjësendet tjera) dhe ambientit të punës; • Mensa e punëtorëve; • Mjetet e transportit (autobusët dhekombibusët)”.
Si të dezinfektohet?
Pastroni me mjete pune për pastrim (lecka, letër pastrim) pa prekur direkt me duar këto sipërfaqe, thuhet në manual. “Përdomi dorëza gjatë pastrimit! Këto lecka-letra hedhen në thasë për mbeturina”.
Personat që kryejnë pastrimin
Personat që kryejnë pastrimin dhe dezinfektimin, sipas manualit duhet të kenë njohuri me procedurat dhe preparatet dhe në raste të dyshimta pastrimi duhet të bëhet duke përdorur pajisjet e duhura mbrojtëse personale: dorëza për një përdorim, rroba mbrojtëse rezistente ndaj ujit, syze mbrojtëse dhe respiratorë FFP2. “Pajisjet personale për pastrim duhet të trajtohen si një material potencial infektues dhe të hidhen apo asgjësohen në vende të sigurta për material infektiv”.
“Nëse dyshemetë, sipërfaqet dhe materialet nga tekstili (tepih, perde ose të ngjashme) nuk mund të përballojnë preparatet e klorit, konsultoni instruksionet e prodhuesit për zgjedhjen e ndonjë altemative të përshtatshme, e shoqëruar ose e kombinuar me pastrim me detergjent. Të gjitha zonat që preken shpesh, siç janë muret dhe dritaret, guaca dhe sipërfaqet tjera të tualetit duhet gjithashtu të pastrohen me kujdes. Të gjitha tekstilet (p.sh. mbulesat e shtratit, perdet, etj.), duhet të lahen duke përdorur një cikël me ujë të nxehtë (90 ° C) dhe duke shtuar detergjent për larje. Nëse një cikël me ujë të nxehtë nuk mund të përdoret për shkak të karakteristikave të tekstilit, duhet të shtohen kimikate specifike kur lani tekstilet (p.sh. produkt zbardhues ose detergjent që përmbajnë hipoklorit të natriumit ose produkte dekontaminimi të prodhuara posaçërisht për t’u përdorur në tekstile)”, theksohet në manual.
Kur përdomi produkte kimike për pastrim, MSH thotë se është e rëndësishme ta mbani vendin të ajrosur mirë (p.sh. duke hapur dritaret), në mënyrë që ta mbroni shëndetin e personelit të pastrimit.
“Preparatet kimike në asnjë mënyrë nuk duhet të bien në kontakt me ushqimin!”, tërheq vërejtjen manuali.
Klikoni KËTU për ta lexuar manualin e plotë të Ministrisë së Shëndetësisë. /Gazeta Sinjali/