Fast-food ishte diçka e re në tavolinën ku u ulën Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq në takimin e fundit në Bruksel.
Kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë mund ta gostitin njëri-tjetrin edhe me pika të reja në kuadër të marrëveshjes finale, por në qendër medoemos duhet të jetë njohja.
Optimist për këtë u shfaq vetë Kurti gjatë samitit Rose-Roth të dielën, por pozitiviteti nuk i mungoi as për Manastirin e Deçanit, transmeton Klan Kosova
“Neve kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe disa vendime administrative për këto prona. Unë besoj se kjo çështje do të zgjidhet, mirëpo është me rëndësi që të kemi edhe dialog ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe autoriteteve fetare në Manastirin e Deçanit. Unë jam kryeministri i parë i Republikës i cili nuk pranohet në takim me priftërinjtë ortodoksë”, deklaroi kryeministri Kurti.
Refuzimi del se kryeministrit iu bë veç për një fjalë që nuk e përdori në kërkesën e tij zyrtare.
Sipas drejtorit të Qendrës së Avokimit për Kulturë Demokratike, Dusan Radkoviç, Albin Kurti nuk i është referuar si ‘serbe’ Kishës Ortodokse, andaj edhe nuk e ka shkelur.
“Duhet ta kemi një raport real, pra kur të drejtohet kërkesa të mos shkruhet vetëm Kishës Ortodokse por të shkruhet ashtu siç potencohet në raportin e Ahtisartit, pra Kishës Ortodokse Serbe. Mënyrë si i është qasur kishës në kërkesë është arsyeja pse ai nuk ka arritur ta vizitojë, kishën, për cilën kishë?”, i replikoi Kurtit, ndonëse tashti nga distanca Radakoviç.
Sërish Radakoviç tregoi se kishës duhet qasur si serbe, sepse vetëm përmes saj Kurti mund ta plotësojë një synim që e ka thënë tash e 18 muaj.
“Për komunitetin serb kisha ortodokse serbe është prioriteti nr 1. Nëse je udhëheqës j qeverise dhe planifikon marrëdhënie me te mira me komunitetin serb kjo behet përmes kishës ortodokse serbe. I kemi pranuar Haradinaj e Çekun qe kane qene pjese e UCK e si mos ta pranojmë Kurtin që është me proevropian. Problemi është tek qasja”.