image Mahmuti: Falsifikimi i raportit zviceran për Deharin në funksion të fshehjes së krimit

Kosovë

Akuza/ Mahmuti: Falsifikimi i raportit zviceran për Deharin në funksion të fshehjes së krimit

news image

Publicisti Bardhyl Mahmuti në një analizë të tijën të publikuar në Facebook, shkruan se falsifikimi i raportit të ekspertizës zvicerane për rastin Astrit Dehari është në funksion të fshehjes së krimit.

Sipas tij, sa u përket lëndimeve që shihen nga ekzaminimi i jashtëm i trupit të të ndjerit Dehari, ekspertët zviceranë kërkojnë ndryshimin dhe plotësimin e 15 diagnozave.

Mahmuti tërheq vërejtjen edhe për manipulime me fjalët dhe termat mjekësore të cilat fshehin lëndime të rënda.

Postimi i plotë i Bardhyl Mahmutit:

Falsifikimi i raportit të ekspertizës zvicerane për rastin “Astrit Dehari” në funksion të fshehjes së krimit

Pasi kanë analizuar videoincizimet dhe fotografitë e autopsisë, të bëra nga mjekët­ ligjorë të Republikës së Kosovës gjatë autopsisë së trupit të Astrit Deharit, ekspertët e Njësisë Romande të Mjekësisë Forenzike të Qendrës Universitare Ramande të mjekësisë ligjore në Lozanë të Zvicrës kërkojnë ndryshimin dhe plotësimin e pikave të caktuara të ekspertizës së kryer në Kosovë.

Sa u përket lëndimeve që shihen nga ekzaminimi i jashtëm i trupit të të riut, ekspertët zviceranë kërkojnë ndryshimin dhe plotësimin e 15 diagnozave, që numërohen në 15 pika, të paraqitura në faqet 24-25 të raportit të datës 14 qershor 2019.

Çështja e parë që ekspertët zviceranë shtrojnë për rishikim, ka të bëjë me diagnozën e shenjave që shihen në pjesën e sipërme, të mesme dhe paramediane, në anën e djathtë të ballit, në pjesën e mbuluar me flokë, rreth 4,5cm mbi vetullën e djathtë, të shtrira mbi një sipërfaqe rreth 4cm.

Në raportin e autopsisë të Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës këtyre shenjave u jepet diagnoza “lëkurë e dëmtuar” (tekstualisht “lëkurë e dremishur”). Kjo diagnozë hidhet poshtë nga ekspertiza zvicerane, sepse “katër pllakat e kuqërremta që shihen në pjesën e sipërme, të mesme dhe paramediane në anën e djathtë të ballit, në pjesën e mbuluar me flokë tek Astrit Dehari janë pllaka pergamene”.

Për ta bërë më të qartë dallimin thelbësor në interpretimin e këtyre pllakave në ballin e të ndjerit Astrit Dehari, ekspertët zviceranë i kushtojnë një rëndësi të veçantë shpjegimit të nocioneve që përdorin.

Në dallim nga eritema (skuqje), që është një lëndim sipërfaqësor i lëkurës dhe që është e dukshëm për një kohë të shkurtër, “ekimozat (mavijosjet) janë pasoja të veprimeve të dhunshme, që shkaktohen nga goditje me sende të forta (përplasje e trupit me një apo shumë sende të forta, GODITJE TË MARRA NGA NJË OSE MË SHUMË SENDE TË FORTA, ndrydhje të forta lokale”. (Shkrimi me shkronja kapitale është bërë për të tërhequr vëmendjen).

Në përkthimin shqip të ekspertizës, ky përkufizim është përkthyer në këtë mënyrë: “Eçhymosis janë pasoja të traumave të hapura (përplasje e trupit kundër një apo shumë objekteve shtypëse, presione lokale të forta”.

Nuk do të flasim këtu për nivelin e përkthimit të këtij përkufizimi. Ajo që duhet të theksohet në këtë kontekst ka të bëjë faktin se në përkthim është hequr fjali që saktëson se këto lëndime mund të shkaktohen edhe nga “goditjet e marra nga një ose më shumë sende të forta”.

Arsyet e heqjes së kësaj fjalie janë të qarta: të shmanget çdo fjali që mund të lërë të nënkuptohet se lëndimet që ka pasur Astrit Dehari mundur të jenë pasojë e goditjeve me sende të forta.

Kush e hoqi këtë fjali nga ekspertiza mjeko-ligjore zvicerane? Nëse e ka bërë përkthyesi dhe pretendon të mos e ketë ditur që në gjuhën frënge shprehja “traumatisme contandant” nënkupton tërësinë e veprimeve të dhunshme që shkaktojnë lëndime pa çarje dhe prerje të lëkurës, lëndime që shkaktohen nga goditje me sende të forta dhe jo të mprehta, as ai dhe askush tjetër që ka përfunduar studimet në gjuhën frënge nuk mund të thotë se nuk e di që në gjuhën frënge “coups reçus par un/des objets…” do të thotë “goditje që ka marrë nga një ose më shumë sende…”. Sidomos këtë çështje e di fare mirë Ismail Ismaili, përkthyesi i këtij dokumenti, që deklaroi: “Raporti shkencor duhet të përkthehet pothuajse fjalë për fjalë. Nuk kam guxuar t’i interpretoj thëniet e ekspertëve mjeko-ligjorë”. Në rastin konkret është prerë si me gërshërë “fjalë pas fjale” fjalia që lë të nënkuptohet se Astri t Dehari është goditur.

Manipulimi me përkufizimin e lartpërmendur është vetëm njëra nga goditjet që ka marrë raporti i ekspertizës zvicerane nëpërmjet përkthimit. Do t’i kthehemi kësaj çështjeje edhe një herë, kur të trajtojmë kontekstin e plotë të kësaj fjalie në ekspertizën që bëjnë zviceranët. Atëherë do të shihet edhe më qartë qëllimi i vërtetë pse janë hequr disa fjali.

Çështja e dytë që sqarojnë ekspertët mjeko-ligjorë zviceranë është termi “pllaka pergamene”. Pllakat pergamene përkufizohen si “pllaka që formohen si pasojë e tharjes së lëkurës që ndodh pas vdekjes, në zonat e dëmtuara të epidermës nga veprime të dhunshme, që shkaktohen nga goditje me sende të forta (përplasje e trupit me një apo shumë sende të forta, GODITJE TË MARRA NGA NJË OSE MË SHUMË SENDE TË FORTA, ndrydhje të forta lokale, me një forcë që ushtron shtypje të shoqëruar me një lëvizje fërkuese”.

Në përkthimin shqip të ekspertizës, ky përkufizim është përkthyer në këtë mënyrë: “Pllakat pergamene janë pasojë e tharjes past-mortum të lëkurës, në shikim të zonave të pastrimit të epidermës pas traumave të hapura (përplasje e trupit kundër një apo shumë objekteve shtypëse, presione lokale të forta) me një përbërës tangjencial”.

Përsëri nuk do të trajtoj “nivelin shkencor të përkthimit fjalë për fjalë”. Edhe në këtë kontekst kemi të bëjë faktin se në përkthim është hequr fjali që saktëson se këto lëndime mund të shkaktohen edhe nga “goditjet e marra nga një ose më shumë sende të forta”.

Ai që ka hequr këtë fjali nga përkthimi mund të mos e ketë ditur se në gjuhën frënge shprehja “une composante tangentielle” do të thotë “një forcë që ushtron shtypje që shoqëruar me një lëvizje fërkuese”, mirëpo një gjë duhet të dihet: sado që të mundohen ta “fërkojnë fjalinë”, “goditjet e marra nga një ose më shumë sende të forta” në rastin “Astrit Dehari” nuk hiqen vetvetiu. Ato janë hequr qëllimisht nga teksti i ekspertizës zvicerane.

Diagnoza e lëndimeve të konstatuara në pjesën e sipërme, të mesme dhe paramediane në anën e djathtë të ballit, në pjesën e mbuluar me flokë tek Astrit Dehari si “pllaka pergamene” është tepër domethënëse. Pllakat pergamene nuk janë shenja lëndimesh sipërfaqësore të lëkurës, por pamja që merr lëkura disa orë pas vdekjes në vendet ku janë shkaktuar lëndime të brendshme të indeve ose të organeve nga goditja me sende të forta. Prandaj, gjatë autopsisë duhet të bëhen prerje të thella në muskuj, për të nxjerrë në pah ekimozat ndër-lëkurore apo ndër-muskulore, të cilat mund të mos shfaqen në kohën kur bëhet ekzaminimi.

Përveç lëndimeve në ballë të Astrit Deharit, në raportin e autopsisë të Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës edhe lëndimeve që shihen në pjesën anësore të qafës, në anën e djathtë dhe ato të pjesës së poshtme nga ana e brendshme e parakrahut të majtë u jepet diagnoza “lëkurë e dëmtuar”. Ekspertiza mjeko-ligjore zvicerane hedh poshtë diagnozat e ekipit mjeko-ligjor të Kosovës, sepse lëndimet, në qafë dhe parakrah të Astrit Deharit, nuk janë lëndime sipërfaqësore, por pllaka pergamene, që shprehin lëndime të brendshme të indeve ose të organeve nga goditja me sende të forta.

Ekspertët mjeko-ligjorë zviceranë përmendin mendimin e mjekëve ligjorë të Kosovës, sipas të cilëve “lëndimet që gjenden në anën e djathtë të pjesës anësore të qafës (latero-cervical), në pjesën e sipërme ballore (frontalo-superiore) dhe në anën e brendshme të parakrahut të majtë, mund të jenë shkaktuar gjatë bartjes së trupit, gjatë ecurisë mjekësore për ta kthyer në jetë ose nga ‘tkurrja e menjëhershme muskulore’ që e shoqërojnë në pengimin e rrugëve të frymëmarrjes gjatë kontaktit me një objekt të ‘skenës së krimit”.

Ekspertët zviceranë nuk pajtohen me këtë interpretim. Sipas vëzhgimeve të tyre, “numri i madh i pllakave pergamene në pjesën e djathtë anësore të qafës (lateralo-cervikal), globalisht mund të ndahen në dy gupe. Grupi i parë përbëhet nga pllakat pergamene lineare, të pjerrëta nga lart-poshtë dhe përpara trupit, kryesisht paralele ndërmjet tyre, të vendosura në të njëjtin aks me plagët sipërfaqësore në të njëjtin vend. Megjithatë, ato janë shkaktuar nga veprime të dhunshme me mjete të forta dhe jo të mprehta. Grupi i dytë përbëhet nga pllakat pergamene me madhësi dhe forma të ndryshme; disa në formë harku dhe, në përgjithësi, formojnë një hark rrethor të rrumbullakët në pjesë e përparme. Sipas mendimit tonë, nuk ka mekanizëm bindës, që do të shpjegonte se si është e mundur që këto plaka pergamene të jenë shfaqur gjatë bartjes së trupit, gjatë përpjekjeve për ta kthyer në jetë ose gjatë tkurrjes muskul ore të menjëhershme. Në fakt, nuk kemi të bëjmë me zona, ku bëhen kapjet gjatë bartjes (në rastin e transportit); nuk kemi të bëjmë me zona ku bëhen ndërhyrjet mjekësore në rastet urgjente (në rastin e përpjekjeve për ta kthyer në jetë) dhe as zona të skajshme të trupit, si: hunda, veshi, molla e Adamit, bërryli, të cilat do të ishin përplasur me pengesa në rastin e bartjes ose shtangimit muskulor…Edhe pse teorikisht ato mund të shkaktoheshin nga bartja e trupit, nga veprimet për ta kthyer në jetë ose nga tkurrja muskulore, as pamjet e lëndimeve, as vendi ku gjenden këto lëndime nuk pasqyron, në radhë të parë, lëndime të shkaktuar nga njëri prej këtyre tre mekanizmave.

Tri ekimozat (mavijosjet) që ndodhen në anën e brendshme të parakrahut të djathtë, për nga vendi dhe forma e tyre mund të paraqesin lëndime të shkaktuara nga një kapje me dorë. Ato mund të kenë qenë të shkaktuara gjatë transportit të trupit ose përpjekjeve mjekësore për ta kthyer në jetë, ashtu siç janë të paraqitura nga mjekët ligjorë. Megjithatë, një kapje me dorë e llojit kur dikush mbahet me zor, nuk mund të përjashtohet dhe duhet të përmendet”.

Në vazhdim të vënies në pah të pasaktësive që përmban autopsia që ka bërë ekipi mjeko-ligjor i Kosovës lidhur me lëndimet që shihen në ekzaminimin e jashtëm, ekspertët zviceranë përmendim lëndimin në këndin e nofullës së poshtme, në pjesën e përparme të anës së djathtë të saj. Ky lëndim nuk përmendet fare në autopsinë e ekipit mjeko-ligjor të Kosovës.

Kur bëhet fjalë për lëndimet në nofullën e poshtme, ekipi mjeko-ligjor i Kosovës në pikën 4 të raportit të autopsisë të datës 7 nëntor 2016 kufizohet vetëm në lëndimin që shihet “në këndin e nofullës së poshtme, në anën e djathtë të saj, rreth 4cm nga cepi i poshtëm i laprës së veshit” dhe i jep diagnozën “skuqje (eritemë) në formë vezake, me ngjyre rozë me përmasa rreth 10x9mm. Skuqje të ngjashme ndodhen edhe në faqen e jashtme të poshtme të parakrahut të dorës së djathtë (3 në numër) pranë njëra-tjetrës, me përmasa nga 5x5mm deri 12x8mm, si dhe në faqen e jashtme të shuplakës së dorës së djathtë, në nivel të rrënjës së gishtit të tretë; me përmasa rreth 12x10mm”.

Sipas ekspertëve zviceranë, këtu nuk kemi të bëjmë me “skuqje (eritemë)”, por me mavijosje (ekimozë).

“Ekimozat (mavijosjet) që ndodhen në këndit e nofullës së poshtë në anën e djathtë dhe në pjesën e përparme të nofullës së poshtme në anën e djathtë, mund të jenë shkaktuar edhe gjatë veprimeve për ta kthyer në jetë (të llojit “headtilt/chin lift” ose “jaëthrust), por nuk janë karakteristikë e lëndimeve që lidhen me bartjen apo transportin e trupit. Nga ana tjetër, këto ekimoza (mavijosje) vërehen në vendet karakteristike për lëndimet që janë shkaktuar gjatë kapjeve në qafë, të llojit ‘çelësi i krahut’ (“clé de bras” në gjuhën frënge), ose formave të tjera të dhunës në qafë. Për shkak të këtij fakti, një mekanizëm i tillë i lëndimit nuk mund të përjashtohet dhe duhet të përmendet”.

Vetëm në këtë kontekst mund të kuptohen arsyet e vërteta pse u falsifikua përkufizimi i ekspertëve mjeko-ligjorë të Zvicrës për “ekimozën, si pasojë e veprimeve të dhunshme, që shkaktohen nga goditje me sende të forta (përplasje e trupit me një apo shumë sende të forta, GODITJE TË MARRA NGA NJË OSE MË SHUMË SENDE TË FORTA, ndrydhje të forta lokale”.  E njëjta mënyrë e heqjes së fjalive u përdor edhe në disa pjesë të tekstit të raportit të ekspertizës zvicerane.

Kështu, në pjesën ku flitet për lëndime që shihen edhe nga ekzaminimi i jashtëm, ekspertiza zvicerane numëron 4 lëndime, të cilat nuk janë të përshkruara në raportin e autopsisë të bërë në Kosovë.

Si lëndim të parë që nuk është përshkruar në raportin e autopsisë të bërë në Kosovë, ekspertët zviceranë përmendin “NJË EKIMOZË ME NGJYRË TË KUQE NË KAFE, NË FORMË VEZAKE, NË SKAJIN E PJESËS SË PËRPARME (ANTERO-INFERIORE) TË NOFULLËS SË POSHTME”.

FJALIA ËSHTË FSHIRË E GJITHA!

Nga pretendimi i përkthyesit se ka bërë përkthim “shkencor fjalë për fjalë” të raportit zviceran, dikush ka përdorur metodën “shkencore të prerjes fjalë pas fjale” të fjalisë në tërësi, me qëllim që hiqet edhe nga raporti i ekspertizës zvicerane ajo që nuk ekziston në raportin e autopsisë së Kosovës. Ky falsifikim është bërë me të vetmin qëllim që të fshihet diagnoza se kemi të bëjmë edhe me një ekimozë shtesë, “që shkaktohet nga goditje me sende të forta (përplasje e trupit me një apo shumë sende të forta, GODITJE TË MARRA NGA NJË OSE MË SHUMË SENDE TË FORTA, ndrydhje të forta lokale”.