image Mafia po e shfrytëzon “mirë” koronavirusin dhe jo vetëm në Itali

Botë

Siguri/ Mafia po e shfrytëzon “mirë” koronavirusin dhe jo vetëm në Itali

news image

Në fillim të këtij muaji, pati një procesion funerali në qytetin sicilian të Messina-s, në kundërshtim me karantinën mbarëkombëtare në Itali. Nuk ishte një procesion i zakonshëm, thotë CNN.

Njerëzit që ecnin pas arkëmortit po i bënin respektin e fundit një 70 vjecari, anëtarë të njërës prej familjeve më famëkeqe mafioze. Claudio Fava, presidenti i komitetit rajonal anti-mafioz, e përshkroi këtë episod  si një “skandal të vërtetë, një fyerje për ata që humbën të afërmit e tyre në pandemi”.

Funeralet me pjesëmarrje të gjerë janë ndaluar në Itali që nga fillimi i marsit, si pjesë e një grupi më të gjerë masash kufizuese që synojnë frenimin e  Covid-19. Sëmundja ka marrë deri tani mbi 23 mijë jetë njerëzish në vendin fqinj.

Sipas përllogaritjeve, koronavirusi në Lombardi ka bërë 5 herë më shumë viktima sesa Lufta e Dytë Botërore. Por zyrtarë të lartë antimafias dhe studiues të ndryshëm i thanë CNN-it se klanet mafioze po përfitojnë nga pandemia e koronavirusit, veçanërisht në jug të Italisë.

Ata ofrojnë ndihmë për nevojat bazike në lagjet e varfra, kredi për bizneset në prag të falimentimit dhe planifikojnë të zgjasin duart edhe mbi miliarda euro të grumbulluara në fonde stimulimi. Dega më e fuqishme e mafies – Ndrangheta kalabreze – që mendohet se kontrollon 80% të tregut europian të kokainës, ka arritur të përfitojë nga bllokimi. Gazetari Roberto Saviano – autor i librit “Gomorrah” thotë se “trafikantët kanë përfituar nga mungesa e mbikëqyrjes së zbatimit të ligjit në porte, në aeroporte . “Kush po kontrollon më?”, pyet ai. Grupet mafioze megjithatë, vazhdon CNN, shkojnë përtej trafikimit të kokainës.

Franco Gabrielli, kreu i policisë italiane, tha se organizatat mafioze tashmë janë ngulur thellë në pjesë të ekonomisë “që nuk janë bllokuar nga kufizimet e Covid-19 duke nisur nga zinxhiri agro-ushqimor, furnizimi me ilaçe dhe pajisje mjekësore, transporti rrugor etj”.

Saviano thotë se ato investojnë edhe në kompani pastrimi të lidhura me spitalet, në agjensi funerale, pika karburanti. Sipas Gabriellit, në fund të pandemisë, grupet kriminale mund të kenë vënë nën kontroll edhe kompani ku nuk ishin infiltruar më parë, e kjo jo vetëm në Itali, teksa Mafia është parë se mund t`i lëvizë paratë shpejt edhe jashtë sistemit bankar. Saviano beson se pas krizës së koronavirusit, likuiditeti do të jetë “qendra e gjithckaje”.