Me kërkesë të kryeministrit në detyrë të Kosovës, Avdullah Hoti, Kuvendi do të mbajë sot seancë të jashtëzakonshme për të votuar lejimin e angazhimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës në misione paqeruajtëse me Gardën Kombëtare të Iowës, shkruan Gazeta Sinjali.
Në këtë seancë do të marrë pjesë edhe Lëvizja Vetëvendosje.
Shefi i Grupit Parlamentar të këtij subjekti, Liburn Aliu, tha për Gazetën Sinjali se kjo parti do të votojë për, ndonëse tha se një vendim i tillë është zvarritur nga Qeveria Hoti.
“Po, po do të marrim pjesë, ndonëse është zvarritë si çështje, ka mundur të kryhet shumë më herët, me kohë. T’u e ditë se çfarë qeverie të plogësht kemi, e sjellin në momentin e fundit. Për shkak se është çështje me rëndësi, do të marrim pjesë. Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit do të mbahet në orën 15:00, në mbledhje do të vendoset për seancën, e që besoj se do të vendoset pozitivisht. Lëvizja Vetëvendosje do të votojë për”, tha Aliu.
Pjesëmarrjen në këtë seancë dhe votimin për e kanë konfirmuar për Gazetën Sinjali edhe LDK, PDK, AAK e Nisma./Gazeta Sinjali/