Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri ka reaguar pas takimit online që kryeministri shqiptar, Edi Rama, zhvilloi sot me homologun e tij maqedonas, Zoran Zaev dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të projektit “Mini-Shengeni”, raporton Gazeta Sinjali.
Kjo parti e ka konsideruar këtë projekt antishqiptar dhe si i tillë vlerson se është i dëmshëm për rajonin.
“Mini-Shengeni i Serbisë dhe Vidovdani i Grenellit janë antishqiptarë. Ditën e sotme është mbajtur një takim për projektin që po e quajnë ‘Mini-Shengen’ mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev. Për publikun e gjerë ende nuk është bërë transparencë e plotë lidhur me këtë takim, njëjtë siç ka ndodhur prej takimit të parë atë të Novi Sadit”, thuhet ndër të tjera në reagim.
Në takimin e sotëm virtual, Rama, Vuçiq dhe Zaev vendosën që takimi i radhës në kuadër të “Mini-Shengenit” të mbahet më 29 korrik, në Shkup./Gazeta Sinjali/