Lëvizja Vetëvendosje në një video në Facebook, ka kritikuar opozitën, duke thënë se janë duke u rigrupuar në mënyra tjera pasi sipas tyre nuk duan ta shohin Kosovën mirë.
“Shkatërruesit e shtetit që nuk duan ta shohin Kosovën mirë për 20 vite kanë qeverisur vendin”, dhe në video-mesazh duken imazhet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Fatmir Limjajt, Behgjet Pacollit dhe Isa Mustafës.
“Herë vetëm e herë njëri me tjetrin. Formalisht të ndarë në parti të ndryshme por praktikisht në një qëllim: Rreth Kosovës së përbashkuar që e shihni veç si tender, si ryshfet, si haraç, si krim, si korrupsion e si çka tjetër”, thuhet në mesazhin që përçon video e LVV-së e cila ilustrohet me disa nga figurat e opozitës së tanishme dhe figurat e qeverisjes së kaluar.
Partia që e ka shumicën parlamentare thotë se opozita po vazhdon luftën ndaj shtetin në mënyra tjera.
“Lufta e tyre ndaj shtetit ka kaluar në një nivel tjetër. Sabotim kudo përmes organizmave të kapur. Prodhojnë emergjenca në mënyrë që asnjëherë të mos merremi me shtetin dhe shoqërinë siç duhet”, vijon mesazhi i LVV-së duke prezantuar foton e liderëve opozitarë dhe drejtuesve të SBASHK-ut.
“Zhurmë, sharje, grevë e çka tjetër, vetëm për të sabotuar shtetin dhe sulmuar qeverinë”, vijon tutje mesazhi i LVV-së.
LVV ka premtuar se ata që “kanë vjedhë shtetin” do të përfundojnë prapa grilave përmes reformës për drejtësi.