Në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes ka raportuar drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Menaxhimit Emergjent (AME), Fadil Kodra, transmeton Gazeta Sinjali.
Në këtë komision janë paraqitur shqetësimet e anëtarëve të komisionit në lidhje me funksionin e AME-së dhe problemet të cilat i kanë zjarrfikësit në Kosovë.
Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka deklaruar se zjarrfikësit në Kosovë duhet të paguhen nga Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave dhe komunat nuk duhet të kenë kompetenca në ekzekutimin e pagave.
Ai ka thënë se zjarrfikësit duhet të trajtohen njëjtë siç ndodh me kategorinë e punonjësve shëndetësorë ose kategorinë e zyrtarëve policorë.
Dugolli ka kritikuar punën e AME-së ngase, sipas tij, në shumicën e komunave zjarrfikësit nuk i kanë pajisjet e duhura dhe nuk janë të trajnuar.
“Zjarrfikësit janë të patrajnuar, nuk është vetëm çështja e pagave, por është problem i madh sepse edhe në aspektin e kontrollit paraqet problem”, ka thënë Dugolli.
Ndërkaq drejtori i AME-së, Fadil Kodra, ka deklaruar se është Qeveria e Kosovës e cila ka kompetencë për rregullimin e statutit të zjarrfikësve. Ai ka thënë se kompetencë e tyre është që t’i paraqesin kërkesat e tyre me shkrim.
“Ne e ngrisim zërin e tyre dhe shqetësimet që i kanë, këtu ka mbetë çështje politike dhe nuk mund të iu rregullojmë dhe për atë arsye vendimi është politik dhe Ministria e Financave dhe ne nuk kemi mundësi të tjera, përveç kërkesave me shkrim”, ka thënë Kodra.
Kurse, Raif Sejdiu nga AME-ja ka përmendur disa prej objektivave të Agjencisë së Menaxhimit Urgjent për vitin 2021. Ai shtoi se do ta rishikojnë dokumentin për fatkeqësitë natyrore, si dhe do të hartojnë Planin e Reagimit Kombëtar.
“Objektivat janë themelimi i brigadës civile, rishikimi i dokumentit nga fatkeqësitë natyrore, plani i reagimit kombëtar”, ka thënë Sejdiu.
Por deputeti i PDK-së, Elmi Reçica tha se për rregullimin e këtyre çështjeve nevojitet që të draftohet një projektligj i ri.
“Ne e dimë që në raportin tuaj që ke i hollësishëm ne e kemi pasur parasysh që problemi kyç është se ka një përplasje brenda Ligjit dhe puna e parë që duhet ta bëjë do të duhej të vijë një Projektligj që t’i rregullon këto çështje”, ka thënë ai. /Gazeta Sinjali/