Tri ditë para zgjedhjeve, LDK e LVV në Podujevë kanë mbledhur turma njerëzish, duke shkelur masat anti-COVID, shkruan Gazeta Sinjali.
Numër i madh i njerëzve shihet në sheshin e Podujevës të cilët kanë përcjellë dy prej kandidatëve kryesorë për kryetar të kësaj komune, Shpejtim Bulliqin e Vetëvendosjes dhe Ekrem Hysenin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Bulliqi kishte publikuar fotografi në profilin e tij në Facebook mbrëmjen e djeshme nga tubimi i Vetëvendosjes, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Albin Kurti, ndërkaq deputeti i LDK-së, Arben Gashi, postoi foto nga tubimi i sotëm i LDK-së, ku pjesëmarrës ishte edhe lideri i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, ku shihen turma të mëdha njerëzish, kështu duke shkelur masat anti-COVID.
Sipas masave në fuqi, në hapësira publike nuk lejohen tubime me më shumë se 50 njerëz. Ndërsa në fotot e postuara, shihet qartë se këto masa nuk janë respektuar. /GazetaSinjali/