image Lutfi Haziri për ‘problemet’ me VV-në: Keni durim, po punojmë të mos ketë ‘bomba të kurdisura’

Kosovë

Lutfi Haziri për ‘problemet’ me VV-në: Keni durim, po punojmë të mos ketë ‘bomba të kurdisura’

news image

Lutfi Haziri, ka hedhur poshtë zërat se po dështon lidhja e një koalicioni qeverisës mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

“Ne kemi punuar më shumë se dy vite për të ndërtuar kapitullin e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit politik mes LDK-së dhe LVV-së. Keni durim. Po e ndërtojmë koalicionin në mirëbesim”, ka shkruar ai në Facebook.

Më tutje nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se kjo do të jetë një marrëveshje me qëllime më afatgjata se sa vetëm një mandat qeverisës, si dhe do të ketë përkujdesje që të mos ketë të çara në koalicion.

“Kjo ka me qenë marrëveshje përtej një mandati. Nuk ka të bëj me emrat e përveçëm, por me qartësime të pozitave dhe ndarje të drejtë e me vullnet të mirë, në mënyrë që në qeverinë LDK-LVV të mos ketë ‘bomba të kurdisura”, ka shtuar ai.

Ndryshe LDK dhe VV kanë qenë dy partitë më të votuar në zgjedhjet e 6 tetorit, dhe që të dyja kanë ardhur nga opozita e legjislacionit të kaluar ku kanë pasur një bashkëpunim të vazhdueshëm./Gazeta Sinjali/