image Lutfi Haziri: Nuk do të kandidoj më për kryetar Komune

Politikë

Lutfi Haziri: Nuk do të kandidoj më për kryetar Komune

news image

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka bërë të ditur se nuk do të kandidojë më për këtë pozitë në zgjedhjet lokale.

Edhe pse rreth 800 biznese në këtë komunë janë mbyllur gjatë vitit 2020 si pasojë e COVID-19, Haziri u shpreh se kanë arritur ta menaxhojnë mirë pandeminë.

“Ne jemi ballafaquar prej 22 shkurtit me pandeminë në Gjilan, kemi filluar masat e para, ndërsa më 13 mars, qeveria ka nxjerrë vendime ekzekutive sipas rekomandimeve të IKSHP-së dhe ne i kemi respektuar. Gjatë gjithë vitit, përkundër vështirësive, ne kemi ndërhyrë në 16 familje, me asistencë sociale, kemi ndërhyrë në sektorin e ekonomisë së vogël apo ekonomisë familjare dhe kemi arritur të ruajmë së paku deri në këtë fazë, deri në miratimin e pakos ekonomike të qeverisë, edhe mirëqenien ekonomike në komunën e Gjilanit”, tha Haziri në KP, transmeton Gazeta Sinjali.

Haziri ka njoftuar se nuk synon një mandat tjetër në krye të Gjilanit, kurse shton se ka përmbushur të gjitha projektet e synuara për komunën, kurse ato pak që kanë mbetur ka premtuar se do të përfundojnë këtë vit.

Tutje, Haziri tha se kryetarit të ri nga investimet infrastrukturore do t’i mbetet vetëm ndërtimi i objektit të ri të komunës.

“Unë jam këtu deri kur pritet të përfundojë mandati sepse zgjedhjet e rregullta pritet me qenë diku në tetor të vitit të ardhshëm. Sidoqoftë, do të varet krejt prej zhvillimeve të zgjedhjeve të jashtëzakonshme që i kemi por, asnjëherë nuk ka ndodhur që zgjedhjet lokale të mos mbahen në kalendarin e vet, që nga pavarësia. Deri atëherë nuk kam asnjë plan tjetër, asnjë kërkesë tjetër. Dua t’ju qëndroj besnik qytetarëve të Gjilanit, të cilët më kanë votuar për të qenë 4 herë kryetar i Gjilanit, 3 herë me qenë deputet i tyre dhe 3 herë me qenë në qeveri. Jashtë votës nuk shoh legjitimitet tjetër”, thekson ai./Gazeta Sinjali/