Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri ka thënë se mes LDK-së dhe VV-së janë pritur situata të tilla ku do të ketë mosmarrëveshje.
Haziri, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se edhe disa probleme që janë mes LDK-së dhe VV-së do të tejkalohen nga dy liderët e këtyre subjekteve.
“Janë disa opsione që janë diskutuar dhe liderët janë duke u munduar të adaptojnë rolin e partive të tyre. Secili e ka të qartë se nuk merr më shumë se ajo që i takon”, tha ai.
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ka thënë se nuk kanë arritur në një pikë që të thuhet “merre ose lë”.
Haziri ka thënë se “partisë së parë i takon të ofrojë opsionin e fundit ‘merre ose le’”.
Sipas tij, nëse VV thotë se ka ardhur ai moment, ne do të vendosim për pozicionin tonë.
Haziri ka thënë se nëse Vetëvendosje nuk pranon të zgjidhet tani çështja e presidentit LDK do të shkojë në opozitë.
“Ne nuk pranojmë opsione të tjera të zgjidhjes së problemit, që del jashtë këtij formati të bisedimeve”.
Haziri ka thënë se personalisht nuk ka ambicie për president apo ndonjë post qeveritar pasi sipas tij ka obligime ndaj qytetarëve të Gjilanit./Gazeta Sinjali/