Ministri i Integrimit Evropian, Blerim Reka ka pritur në takim shefen e Misionit për Kosovë, Natacha Gomes.
Reka dhe Gomes biseduan për vazhdimin e bashkëpunimit të frytshëm dhe të suksesshëm bilateral midis këtyre dy shteteve, sidomos në mbështetjen që ky shtet ia ofron Kosovës në proceset e saj euro-integruese.
Sipas ministrisë, Luksemburgu është ndër përkrahësit dhe donatorët më të mëdhenj në Kosovë.
Në këtë drejtim, ministri Reka u falënderua për ndihmat e ofruara nga Luksemburgu deri më tani prej disa milionë eurove, duke shpresuar se kjo ndihmë do të vazhdojë edhe këtë vit dhe periudhat në vijim.
Më tej, u diskutua për format konkrete të ndihmës, e në veçanti mundësia e mbajtjes së konferencës vjetore të përbashkët të këtyre dy shteteve, si dhe vazhdimin e marrëveshjes bilaterale me Luksemburgun.
Nga ana e saj, shefja e Misionit, Gomes përshëndeti emërimin e ministrit Reka në detyrën e re, si dhe ri-përsëriti përkrahjen dhe mbështetjen e Luksemburgut për Kosovën në proceset integruese të saj./Gazeta Sinjali/