Zyra e presidentit turk, Rexhep Erdogan, ka thënë se ai ka diskutuar pushtimin rus në Ukrainë me liderin bjellorus, Aleksandar Lukashenko, i cili njihet si aleat i afërt i Moskës.
Në bisedën telefonike të 1 marsit, diskutimet janë fokusuar në negociatat për armëpushim, të cilat janë mbajtur mes zyrtarëve ukrainas dhe atyre rusë të hënën, 28 shkurt.
Ndonëse në bisedime nuk është arritur marrëveshje, negociatorët kanë thënë se takime të reja do të zhvillohen në ditët në vijim.
Erdogan ka thënë një ditë më parë se Turqia, si vend anëtar i NATO-s, do të vazhdojë të luajë rol në dhënien fund të luftës që ka hyrë në ditën e gjashtë, që Ankaraja do të vazhdojë të mbajë lidhje me Moskën dhe Kievin, dhe se shteti i tij do të zbatojë traktatin ndërkombëtar që i kufizon qasjen anijeve luftarake ruse në ngushticat turke në Detin e Zi.
Më 28 shkurt, Erdogan ka thënë se pushtimi rus i Ukrainës “është i papranueshëm” dhe se Turqia do të respektojë angazhimet që ka ndaj Aleancës, ndonëse nuk do të shpërfillë “interesat rajonale” në rajon.