Një luan i cili po mbahet i mbyllur në kafazin e një restoranti në fshatin Zhegër të komunës së Gjilanit dyshohet se është futur në Kosovë në mënyrë ilegale.
Zyrtarët e Agjencionit të Ushqimit dhe Veterinarisë (AVUK) kanë deklaruar se ata nuk posedojnë asnjë të dhënë se kjo kafshë e egër i është nënshtruar kontrollit doganor.
Zëdhënësi për informim i AVUK-ut , Lamir Thaçi deklaron se ata janë duke hetuar rastin dhe mënyrën sesi kjo kafshë është futur në Kosovë.
“Nuk e kemi të evidentuar si import të rregullt dhe nuk ka hyrë përmes kontrollit tonë sepse edhe ne kontrollojmë në kufi importet e rregullta. Ata parimisht duhet me marr leje tek ne pra leje të importit dhe në këtë rast as nuk kanë aplikuar për leje dhe nuk e kemi të evidencuar prej kontrollit tonë veterinar që luani ka hyrë përmes kufirit” ka thënë ai, raporton Koha Ditore.
Ndërsa zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci deklaron se ata nuk kanë të dhëna se kafsha i është nënshtruar kontrollit doganor. Sipas tij kafsha mund të rezultojë së është kontrabanduar.
“Jemi duke hulumtuar për këtë mirëpo nuk figuron se kemi pasur zhdoganim. Ka mundësi që ka hyrë në të zezë. Edhe njëherë do të kontrollojmë të gjitha të dhënat në lidhje me këtë” ka thënë ai.
Ndërsa Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve kanë reaguar për mbajtjen e kësaj kafshe të egër në kafaz duke kërkuar nga institucionet e shtetit që të reagojnë.
“Avokatët e Fondacionit për të Drejtat e Kafshëve do të shqyrtojnë ligjet në fuqi dhe do të veprojmë në të mirën e luanit që mbahet në kafaz të vogël, sa më shpejt që të jetë e mundshme. Mbajtja e kafshëve në këtë mënyrë, importimi i tyre (me gjasë edhe i jashtëligjshëm) tregojnë mirë sa i dobët është shteti në mbikëqyrje të situatave të tilla. Shpresojmë edhe në vëmendje të organizatave ndërkombëtare në mënyrë që ta nxjerrin luanin nga ai vend” thuhet në reagimin e tyre.