Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka publikuar disa fotografi nga manifestimi qendror kushtuar “Ditës së Çlirimit”, i mbajtur në Poklek të Drenasit, shkruan Gazeta Sinjali.
I pari i Drenasit në këtë ditë të rëndësishme për Kosovën nuk ka harruar që të përmend ish udhëheqësit e UÇK-së që ndodhen në Hagë. Sipas tij ndaj tyre po ndodhë padrejtësi.
“Sot, është nderuar sakrifica për liri në Poklek dhe Drenas por edhe krejt Kosovën, megjithëse kemi ende plagë për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, mos dënimi i kriminelëve por edhe padrejtësia që po ngjan në Hagë me drejtuesit më të lartë të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Salih Mustafa, Hysni Gucati, Nasim Haradinaj”, ka shkruar Lladrovci.
Tutje ai ka shtuar nuk do të harrohet asnjëherë mbështetja e ofruar nga NATO, të cilët dolën krah popullit shqiptar.
“Rruga jonë ishte e drejtë, prandaj edhe gjetëm mbështetje nga bota liridashëse. Ne jemi përjetësisht mirënjohës dhe falënderues. Ne nuk do ta harrojmë se ishim para zhdukjes dhe në ditët vendimtare të ekzistencës tonë, NATO me aleatët doli krah nesh, krah UÇK-së dhe popullit të Kosovës.
Ne, këtë ditë dhe këtë përkrahje kurrë nuk do ta harrojmë. Ashtu siç kurrë nuk do t’i harrojmë heronjtë, dëshmorët dhe martirët e lirisë”, ka shtuar ai./Gazeta Sinjali/