Mësimdhënësi nga Nekoci i Drenasit, Fatmir Dugolli, i cili është anëtar i Shtabit Zgjedhor të “Demokratëve për Drenasin”, e ka denoncuar sot në polici kryetarin e Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovcin, me pretendimin se i njëjti e ka kërcënuar dhe sulmuar atë.
Mirëpo, pretendimet e tij janë hedhur poshtë nga Lladrovci, i cili përmes një postimi në Facebook, ka sqaruar se me Dugollin janë takuar në hyrje të një kafeneje, ku janë përshëndetur dhe kanë vazhduar në drejtimet e tyre.
I pari i Drenasit thotë se kjo gjë mund të verifikohet në kamerat e sigurisë që janë të vendosura në lokalin ku është takuar rastësisht me Dugollin dhe se raportimet e mediave lokale janë të rreme dhe të qëllimshme, pikërisht në ditën e heshtjes zgjedhore.
“Sonte në disa portale lokale dhe profile të rrejshme në Facebook, u promovua një lajm gjoja se unë kam sulmuar një kandidat nga një subjekt tjetër politik. Kamerat e sigurisë janë në vendin e ngjarjes dhe mund të verifikohet lehtë se krejt çka ka ndodhur. Në hyrje të një lokali, me këtë kandidat të cilin e kam përkrahur për zgjedhjet parlamentare, jemi përshëndet dhe secili ka shkuar në drejtimin e vet.”
“Ju njoftoj se as nuk ka pasur sulm as tendencë për sulm ndaj ish-kandidatit për kuvend nga PDK, tash anëtar i një subjekti tjetër politik. E vetmja e vërtetë është se jemi përshëndet dhe jemi ndarë si miq, asgjë më shumë. Nuk ka pasur kurrfarë konflikti as sulmi fizik. Kjo është tendencë për viktimizim të një subjekti garues që pas fushatës tonë të shkëlqyer po përpiqet të marrë vëmendjen. Ky inskenim gjatë heshtjes zgjedhore bëhet me qëllim të caktuar”, shkroi ai në Facebook./Gazeta Sinjali/