image Lirohet nga spitali i lënduari i fundit nga aksidenti në Kroaci

Diasporë

Lirohet nga spitali i lënduari i fundit nga aksidenti në Kroaci

news image

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se Blerim Krasniqi njëri nga pasagjerët e aksidentit në Slavonski Brod të Kroacisë, sot është liruar nga spitali dhe gjendja e tij është stabile, shkruan Gazeta Sinjali.

Tutje ai ka shtuar se i njëjti është nisur për trajtim të mëtutjeshëm në Gjermani deri në përmirësim të plotë të shëndetit të tij.

“Blerim Krasniqi, pasagjer në autobusin i cili u aksidentua në Slavonski Brod të Kroacisë, pas një periudhe të gjatë në repartin intensiv, sot është liruar nga spitali. Gjendja e tij është stabile dhe falë angazhimit të mjekëve dhe të gjitha autoriteteve kroate si dhe zyrtarëve tanë nga Ambasada jonë në Kroaci, ai sot është nisur për trajtim të mëtutjeshëm në Gjermani deri në përmirësim të plotë të shëndetit të tij”, ka shkruar ai në Facebook.

Krasniqi është pasagjeri i fundit që po trajtohej në Kroaci, kurse 43 pasagjerët tjerë ishin liruar në ditët e para pas aksidentit. Kjo ishte bërë e ditur edhe nga kryeministri kroat në gusht të këtij viti.

“Kryeministri kroat e ka njoftuar kryeministrin Kurti se sipas informatave të Ministrisë së Shëndetësisë, 44 kosovarë të aksidentuar kanë marrë trajtim në spitalet kroate, dhe se 43 prej tyre ose janë liruar pas shërimit ose janë dërguar drejt spitaleve në Gjermani apo në Kosovë.
Për fat të keq, një person ende gjendet në mjekim intensiv në ventilim mekanik”,
ka thënë Plenkoviq në letrën drejtuar kryeministrit Kurti.

Kujtojmë se nga 69 pasagjerë sa ishin në autobus, 10 nga ta humbën jetën derisa 42 të tjerë iu nënshtruan operimeve e ndihmës mjekësore në spital./Gazeta Sinjali/