Fatmir Limaj nga Nisma Socialdemokrate, ka folur pas rezultateve preliminare të 14 shkurtit, shkruan Gazeta Sinjali.
Nisma, nuk ka marrë votat e mjaftueshme për t’u bërë pjesë e Parlamentit të Kosovës. Kjo parti ka marrë vetëm 2.58 % të votave.
Limaj në konferencën për media ka falënderuar ata që e kanë votuar Nismën Socialdemokrate.
“Ishte fushatë elektorale e jashtëzakonshme. Të gjithë ata që hezituan, tentuan të zbehin vlerat e luftës, u rikthyen në fushatë për këto vlera. Ne do të vazhdojmë së bashku, që zërin dhe krenarinë çlirimtare ta promovojmë. Nisma nuk do të jetë pjesë e Parlamentit, por kjo nuk do të ndalë zërin e Nismës në kauzën tonë. Ne do të vazhdojmë promovimin tonë. Ne nuk heqim dorë nga përkushtimi për Kosovën”, tha Limaj.
Limaj tutje ia ka uruar fitoren Lëvizjes Vetëvendosje.
“Dua t’i uroj fituesit. Duhet t’i përveshin mëngët e të punojnë. Është koha e punës, ne së afërmi do të vëzhgojmë, do të përcjellim gjithë atë që ju keni premtuar dhe keni fajësuar të tjerët. Është koha për qeverisje stabile”, tha Limaj. /Gazeta Sinjali/