Kandidati për kryeministër nga koalicioni Nisma-AKR-PD, Fatmir Limaj në një shkrim drejtuar kandidatëve të tjerë, e ka bërë çuditshëm rolin e burrështetasit duke thënë se zgjedhjet e 6 tetorit nuk duhet të konsiderohen thjeshtë si zgjedhjet e radhës, por si të një rëndësie të veçantë për ardhmërinë e Kosovës.
Limaj ka theksuar se Nisma zotohet publikisht se pas zgjedhjeve do të vazhdojë të jetë pjesë konstruktive e politikës shtetërore të Kosovës dhe në legjislaturën VII do të kontribuon, që të përmbyllet dialogu me Serbinë.
“Meqenëse interesi jetik i Kosovës është mbyllja e këtij kapitulli, ftoj të gjitha forcat politike që garojnë në zgjedhjet e 6 tetorit që të zotohen publikisht se do të kontribuojnë në përfundimin e procesit të dialogut me Serbinë, qoftë nga pozita, qoftë nga opozita”, thuhet mes të tjerash në shkrimin e tij.
Postimi i Limajt:
Të nderuar kandidat/e për kryeministër të Qeverisë së Kosovës në zgjedhjet e 06. Tetorit 2019!
Për të gjitha anët pozitive apo dobësitë që e karakterizuan Legjislaturën e VI të Kuvendit të Kosovës kemi folur vazhdimisht dhe do të flasim edhe në të ardhmen.
Nga tërësia e veprimeve tona politike dëshiroj të veçoj një çështje që na ka kushtuar shumë si shtet dhe si shoqëri:
Çështja e konsensusit politik lidhur me strategjinë në fazën përmbyllëse të dialogut me Serbinë. Mungesa e gatishmërisë për t’u bashkuar të gjitha forcat politike dhe shoqëria civile, pati pasoja jashtëzakonisht të mëdha si në rrafshin e kohezionit të brendshëm, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.
Në rrafshin e brendshëm, partitë opozitare të Kosovës nuk pranuan të merrnin pjesë në procesin e dialogut dhe tërë energjitë e veta i përqendruan në kërkesën për zgjedhje të reja të parakohshme. Refuzimi i opozitës për të qenë pjesë e përfaqësimit të Kosovës në dialog me Serbinë edhe duke qenë në opozitë pamundësoi krijimin e një delegacioni e strategjie të përbashkët shtetërore në funksion të përmbylljes së këtij procesi. Përçarjet brenda spektrit politik dhe institucional të Kosovës u reflektuan tejet negativisht në imazhin e Kosovës dhe, fatkeqësisht për të gjithë ne, gishti i fajësimit për bllokimin e dialogut u drejtua në drejtim të Kosovës.
Të vetëdijshëm se populli i Kosovës nuk e meriton që aleatët e Kosovës, ata që në momentet jetike kanë qëndruar pranë popullit tonë, të zhgënjehen nga mungesa e aftësisë institucionale që të miratohen e merren vendime në interes të ardhmërisë së vendit, Kuvendi i Kosovës miratoi platformën mbi bazën e të cilës duhej të ndërtohej një konsensus i përgjithshëm i pikëpamjeve tona politike për çështjen e dialogut me Serbinë.
Zgjedhjet e 6 tetorit 2019 nuk duhet të konsiderohen thjesht si zgjedhjet e radhës, sepse kur të kemi parasysh sfidat që e presin vendin tonë, bëhet e qartë se këto zgjedhje, pa asnjë dilemë, do të jenë zgjedhje të një rëndësie të veçantë për ardhmërinë e Kosovës.
NISMA Socialdemokrate zotohet publikisht se pas zgjedhjeve të 6 tetorit do të vazhdojë të jetë pjesë konstruktive e politikës shtetërore të Kosovës dhe në legjislaturën e VII-të do të kontribuon, së bashku me miqtë ndërkombëtar të Kosovës, të përmbyllet dialogu me Serbinë dhe të hapet një faqe të re e historisë së kësaj pjese të Ballkanit Perëndimor. Edhe pse në këtë garë elektorale hyjmë me besim se koalicioni ynë do të dalë fitues, zotimin publik se do të jemi pjesë konstruktive e politikës shtetërore të Kosovës do të përmbushet nga ana e jonë pa marrë parasysh nëse do të jemi pjesë e qeverisjes apo si forcë politike opozitare: Interesi i Kosovës është mbi të gjitha!
Vetëm duke u zotuar se interesat e Kosovës do t’i vëmë para interesave partiake dhe duke respektuar zotimet tona do të kthejmë besimin e qytetarëve tanë dhe të aleatëve të Kosovës në institucionet e shtetit tonë të pavarur.
Përmes këtij veprimi do të përmbushim obligimin moral ndaj të gjithë atyre që dhanë jetën për çlirimin e vendit. Fundi i fundit, bashkëveprimi në interes të Kosovës është një obligim edhe ndaj gjeneratave që do të vijnë pas nesh. Bashkë për Shtetin! Me respekt, Fatmir Limaj Kandidat për Kryeministër!