Një ligjvënës demokrat ka depozituar të martën një aktpadi ndaj Donald Trumpit të cilin e akuzon për nxitje të rebelimit vdekjeprurës ndaj Capitolit dhe për komplot me avokatin e tij e grupet ekstremiste, në një përpjekje për të penguar Senatin që të certifikonte rezultatin e zgjedhjeve presidenciale.
Padia e ngritur nga ligjvënësi i Misisipit Bennie Thompson, kryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare në Dhomën e Përfaqësuesve, është pjesë e një vale të pritshme çështjesh gjyqësore mbi trazirat e 6 janarit dhe besohet të jetë e para e ngritur nga një anëtar i Kongresit. Ai kërkon kompensim e masa ndëshkuese të cilat nuk janë bërë ende të ditura.
Çështja gjithashtu përmend si të pandehur avokatin personal të ish-presidentit republikan, Rudy Giulianin si dhe grupe të tilla si “Proud Boys” (Djemtë Krenarë) dhe “Oath Keeper” (Mbajtësit e Betimit), organizata ekstremiste, anëtarë të të cilave janë paditur nga Departamenti i Drejtësisë lidhur me pjesëmarrjen e tyre në sulmin e dhunshëm ndaj Capitolit.
Avokatët e Trumpit i kanë hedhur poshtë akuzat se ai ka nxitur rebelimin.
Një këshilltar i Trumpit dhe një avokat i Giulianit, ende nuk i kanë kthyer përgjigje një emaili ku u kërkohej një koment mbi çështjen.
Padia e depozituar në gjykatën federale në Washington, e cila bazohet tek një ligj i njohur si “Akti i Ku Klus Klanit” i miratuar gjatë të ashtuquajturës periudha e Rindërtimit (që pasoi luftën civile), vjen tre ditë pasi Trump u shpall i pafajshëm nga Senati lidhur me akuzën për nxitje të rebelimit, një ngjarje gjatë së cilës humbën jetën pesë persona. Ky zhvillim ka të ngjarë t’i hapë rrugën sfidave të reja ligjore lidhur me veprimet e Trump para dhe gjatë sulmit të dhunshëm./GazetaSinjali/